Arvizu: Jo kthim te SHIK-u i ‘97

17/08/2012 00:00

Pas një takimi që ka zgjatur më shumë se 60 minuta me kreun e opozitës Edi Rama, ambasadori amerikan Alexander Arvizu për herë të parë komentoi shkarkimin e kreut të SHISH Bahri Shaqiri, kur u pyet nga Top-Channel se cili ishte qëndrimi SHBA për këtë zhvillim.

Fillimisht kryediplomati amerikan dha vlerësime maksimale për punën e kreut të shkarkuar të SHISH, Barhi Shaqirit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i detyrohen sinqerisht zotit Shaqiri për marrdhëniet e karakterizuara. Gjithashtu, sipas perspektivës së Shteteve të Bashkuara, ai ishte një partner i vendosur duke ndihmuar në ndërtimin e një bashkëpunimi të fortë mes shërbimit që ai drejtonte dhe tonit. Për këtë ne i jemi shumë mirënjohës. Për sa i përket zëvendësimit, ndryshimet janë të mira pasi një zyrtar i shtetit nuk duhet të qëndrojë në detyrë për një kohë të gjatë”, ka thënë Arvizu.

Ambasadori Arvizu nënvizoi se nuk ka patur konsultime paraprake me kryeministrin apo presidentin Nishani për shkarkimin dhe zëvendësimin e Bahri Shaqirit nga Visho Ajazi. Duke komentuar zëvëndësimin e Shaqirit, zoti Arvizu i dërgoi një mesazh të qartë jo vetem kreut të ri të SHISH kur u shpreh se tashmë shërbimi inteligjent shqiptarë nuk i përket epokës së SHIK-ut të viteve ’90, kur dhe Ajazi ishte pjesë e tij.

“Ajo çka është me rëndësi lidhet me të ecurin përpara. Sipas prespektivës së SHBA, ne kemi marrë garanci sikurse edhe sot nga kryeministri dhe persona të tjerë që bashkëpunimi i fortë institucional mes SHISH dhe SHBA do të vijojë dhe ne u jemi mirënohës për këtë. Kjo është e rëndësishme për marrëdhëniet tona bilaterale, gjithashtu edhe për rajonin. Merr një rëndësi të veçantë ecja përpara e SHISH. Ne kemi punuar shumë për ta zhvilluar këtë institucion për të qenë atje ku është sot”, ka nënvizuar Arvizu.

“Për sa i përket drejtorit të ri, të cilin nuk e kam takuar ende, por do ta takoj pasi të kthehem nga pushimet, mund të them se ai trashëgon një organizëm që është ndryshe nga SHIK-u i 1990-ës. Sot nuk kemi SHIK-un e viteve ‘90 por është SHISH-i i 2012-ës. Atëherë Shqipëria nuk ishte anëtare e NATO-s, ndërsa tani është anëtare e NATO-s dhe është me shumë rëndësi për drejtorin e ri të drejtojë SHISH-in sikurse e bëri zoti Shaqiri kur ai mori drejtimin. Të qënit e Shqipërisë anëtare e NATO-s merr një rëndësi kritike për SHISH, që  të zhvillojë aktivitetin në vijueshmëri me statusin që Shqipëria ka si një vënd anëtar i NATO-s”, ka theksuar më tej ambasadori.

Gjatë paradites të së premtes ambasadori Arvizu është takuar me presidentin e Republikës Bujar Nishani dhe kryeministrin Sali Berisha, ku ka prezantatuar zëvendësin e tij Henry Jardine. Zoti Arvizu pohoi se gjatë këtyre takimeve çështja e zëvendësimit të kreut të SHISH doli në pah në një formë apo tjetrën.

Top Channel