Tepelenë, pranga pirromanit

21/08/2012 10:45

Drejtoria e policisë së Gjirokastrës ka njoftuar arrestimin e një personi për zjarrvënie të qëllimshme në lagjen Sorodol në Tepelenë, ku janë djegur dhjetëra pemë frutore.

I ndaluari është shtetasi Xhevair Muçaj, banor i kësaj lagjeje, i cili një ditë më parë i vuri zjarrin bimësisë mbrapa banesës së tij.

Si pasojë e erës së fortë, zjarri doli nga kontrolli duke u përhapur në një sipërfaqe të madhe dhe duke djegur rreth 20 hektarë pyll e kullotë.

Zjarri brenda një kohe të shkurtër përfshiu kopshtet e banesave të lagjes Sodorol, duke djegur 60 rrënjë ullinj shumëvjeçar, 20 rrënjë ullinj të mbjellë një vit më parë, si dhe dhjetëra rrënjë rrushi, fiqsh, dardhësh e mollësh, pronë e banorëve të kësaj lagjeje.

Gjithashtu, si pasojë e erës së fortë, zjarri rrezikoi seriozisht edhe banesat e lagjes Sorodol, pasi ishte afruar shumë pranë tyre.

Një ditë më parë Zyra e Emergjencave Civile njoftoi se në vend aktualisht ka vetëm 4 vatra zjarri, ndërsa të tjerat arritën të shuhen në orët e vona të së dielës.

Zjarret vazhdojnë të jenë ekzistente në komunen Zapod të Kukësit, ne komunat Selishtë dhe Lurë të Dibrës, si edhe në fshatin Perlat i Sipërm, në komunën Kthjellë të Mirditës.

Sipas burimeve zyrtare, në vatrat ekzistente të zjarrit nuk ka rrezik për përfshirje të ndonjë shtëpie pasi ato janë larg zonave të banuara.

Zjarret aktuale kanë vështirësi në shuarje për shkak se ndodhen në zona të thella malore, ku nuk mund të hyjnë dot zjarrfikëset.

Top Channel