Çipa: Greqia të japë shpjegime për ndalimin e Marin Memës

22/08/2012 00:00

Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka dënuar ndalimin për të hyrë në
territorin grek të gazetarit të Top Channel Marin Mema. Anëtarë të
Unionit dhe personalitete nga shoqëria civile protestuan përpara
Ambasadës Greke në Tiranë, për këtë veprim të paprecedentë.

“Ne si Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagojmë ndaj këtij vendimi që është i paprecendë. Konstatojmë me përgjegjësi profesionale se në asnjë nga rastet kur kolegu Mema ka bërë reportazhe, telereportazhe apo shkrime të ketë qenë i dhunshëm, të ketë përdorur një fjalor fyes, të ketë etiketuar apo apeluar në mënyrë të tillë që të nxisë urrejtje, apo të shkaktojë reagime nacionaliste ndaj palëve, apo ndaj personave, grupeve e minoriteteve të ndryshme”, tha drejtuesi i Unionit, Aleksandër Çipa.

Kjo protestë tha zoti Çipa është vetëm fillimi i një sëre hapash, që do të ndërmarrë Unioni i Gazetarëve në lidhje me rastin e gazetarit Marin Mema.

“Përmes një letre të hapur do t’i drejtohemi Presidentit të Republikës së Greqisë, Kryeministrit grek dhe ministrit të Jashtëm për ta rishikuar këtë vendim dhe për ta anuluar atë. Nesër para Ministrisë sonë të Jashtme do të bëjmë një tubim të tillë dhe do t’i drejtojmë një letër edhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, kryeministrit të Shqipërisë dhe ministrit të Jashtëm”, tha Çipa.

Në një letër dërguar autoriteve greke Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë kërkon të reagojnë në kohë, pasi rasti ‘Mema’ është i paprecedentë në praktikën e shkëmbimeve dhe lëvizjes së lirë ndër vendet e Ballkanit dhe BE-së gjatë viteve të fundit. Një letër e posaçme i është dërguar nga ky Union dhe presidentit të BE-së. Pavarsisht se disa ditë më parë Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë kërkoi sqarime nga ambasada greke në lidhje me këtë rat, ende autoritet greke nuk kanë dhënë shpjegime për refuzimin e hyrjes së gazetarit Mema në territorin grek.

SEEMO reagon për gazetarin

Organizata e Medias për Europën Juglindore me qendër në Vjenë, SEEMO ka dënuar moslejimin për të hyrë në territorin grek të gazetarit Marim Mema.

Në një komunikatë për shtyp, kjo organizatë anëtare e Institutit Ndërkombëtar të Medias kërkon nga autoritetet greke të japin sqarime përse gazetarit të Top Channel Marin Mema i është ndaluar hyrja në këtë shtet.

“Gazetarët duhet të lejohen në të dyja kapacitetet si qyetarë apo profesionistë”, shprehet sekretari i përgjithshëm i SEEMO-s Oliver Vujovic. “Policia kufitare greke duket se ka shkeluar të gjitha standardet ndërkombëtare duke i mohuar të drejtën e lirisë së udhëtimit për gazetarët. Liria e medias nuk duhet të kufizohet nga kufinjtë e shteteve” thekson Vujoviç.

“Greqia është një vend i BE-së, – thotë sekretari i përgjithshëm i SEEMO, – dhe këto praktika të policisë kufitare greke duhet të hetohen nga Këshilli i Europës përfshi OSBE-në”.

Top Channel