E zë gjumi në avion, kthehet në nisje

23/08/2012 02:05

Një grua franceze realizoi një udhëtim unik prej 18 orësh nga qyteti pakistanez i Lahores në Paris dhe përsëri mbrapsht në Lahore, pasi e kishte zënë gjumi në avion dhe askush nuk e kishte kuptuar prezencën e saj.

Lajmi u raportua nga e përditshmja “Le Figaro” në orët e vona të së mërkurës. Aktualisht, një hetim është duke u zhvilluar për të kuptuar se si ka mundësi që asnjë anëtar i personelit nuk kuptoi se një person kishte mbetur në avion pas uljes.

Në aviacion, është rregull që të gjithë udhëtarët duhet të jenë të zgjuar gjatë fazës së ngritjes dhe uljes.

Patrice Christine Ahmed, një shtetase franceze e martuar me një pakistanez, ishte duke udhëtuar me linjën e Pakistan International Airlines (PIA).

Gruan e zuri gjumi pak përpara mbërritjes në aeroportin “Charles des Gaulles” në Paris dhe gjatë dy orëve të qëndrimit të avionit në tokë, ajo vazhdoi të flinte.

Ahmed u zgjua vetëm në mbërritjen në Lahore, me bindjen se sapo kishte mbërritur në Paris dhe u shtang kur e pa veten të përfundonte e pyetur nga policia pakistaneze e kufirit, që fillimisht e trajtoi si një ilegale.

Pas disa orësh qëndrimi në Lahore, gruaja u nis në një tjetër fluturim në Paris, këtë herë e kujdesshme për të qenë e zgjuar në mbërritjen në kryeqytetin francez.

Top Channel