AK: Skandali me portin e Durrësit

26/08/2012 00:00

Aleanca KuqeZi, nga qyteti bregdetar i Durrësit, ka denoncuar atë që e quan skandalin e radhës të qeverisë së Sali Berishës.

Sipas AK, Porti i Durrësit, i cili duhej të ishte porta e kombit, nga një urë drejt Evropës është shndërruar në kazermë mallrash kontrabandë dhe minierë e kontrabandistëve. Në këtë port nuk janë të rralla rastet tha Arben Kryeziu, Sekretar për Cështjet e Sigurisë në AK,  kur trau i doganës ngrihet gjatë natës për kontenierët e drogës apo dhe për bizneset e ministrave bixhozxhinj të Sali Berishës.

“Aleanca KuqeZi deklaron se porti i Durrësit duhej të ishte porta kryesore e lidhjes së Ballkanit me vendet e Bashkimit Evropian, por për fat të keq ky port është lënë në mëshirë të fatit duke u rikonstruktuar fasada e tij dhe jo strategjia e menaxhimit e cila duhej të buronte të ardhura për arkën e buxhetit të shtetit. Ky port është kthyer nga sekserët e qeverisë së Sali Berishës në nyjën kryesore të trafikimit të lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore sepse administrata e tij është tejmbushur me militantët e mafies bardhë e blu. Aleanca KuqeZi i garanton shqiptarët që minimalisht ne do ta kthejmë portin si shekuj më parë kur ilirët e kthyen Dyrrahun ne portën dhe udhëkryqin e te gjithë tregtisë evropiane”, u shpreh Kryeziu.

Në vijim të deklaratës, zoti Kryeziu u shpreh se “ky është porti i durrsakëve dhe kombit shqiptar, të cilin nuk mund të marrë askush me asnjë çmim. Ky duhet të ishte porta kyçe në Mesdhe, por në fakt sot është porti i pushtetarëve pa atdhe”.

Top Channel