Itali, karabinierët sekuestrojnë drogë

29/08/2012 22:55

Gjithësej 75 thasë të mëdhenj me 940 kilogramë marijuhanë u zbuluan nga karabinierët e skuadrës investigative të Romës në parkingun e një banese.

Janë arrestuar dy persona, njëri prej të cilëve është shtetas shqiptar, 23 vjeç pa preçedentë penalë. Akuza e ngritur ndaj tij është për mbajtje të paligjshme të lëndëve narkotike dhe aktualisht ai ndodhet i mbyllur në burgun Regina Coeli të kryeqytetit.

Prej ditësh në afërsi të godinës ndihej një erë e fortë karakteristike e marijuhanës, e sinjalizuar nga banorët. Pas përgjimeve dhe më pas kontrollit të karabinierëve, u zbulua se ajo dilte nga pakot e përgatitura për t’u hedhur në treg. Llogaritet që droga e kapur do të sillte një fitim prej rreth një milion eurosh.

Vetëm pak orë më parë, policia e Katanias, në Siçili, i kishte vënë prangat dy korrierëve shqiptarë të drogës. Në makinën e tyre u gjetën 130 kg marijuhane, të paketuar dhe gati për tregtim në zonat turistike të ishullit.

Top Channel