
Deputeti Sajmir Tahiri i ka dërguar një letër Kryeministrit Sali Berisha
duke kërkuar reagimin e shefit të Qeverisë për atë cfarë po ndodh nëpër
minierat e Shqipërisë.
Duke folur në emër të grupit socialist, Tahiri kujtoi se vetëm një ditë më parë një tjetër minator dhe një tjetër u plagos rëndë, duke akuzuar qeverinë se i ka lënë këta njerëz në mëshirë të fatit dhe të mafias që shfrytëzon minierat.
“Nuk di sa çnjerëzore mund të jetë numërimi publik i minatorëve që po vriten në galeritë e minierave, nën hundën tuaj dhe heshtjen thuajse kriminale. Inventari makabër i minatorëve që trajtohen si skllevër dhe i minierave që janë kthyer në kampe përqëndrimi të kohëve moderne, do bënte të dridhej e të kërcente nga karrigia, dhe njeriun më të pashpirt, jo më Kryeministrin e vendit”, thuhet në letrën e Tahirit.
Tahiri kërkon nga shefi i qeverisë që ai të përgjigjet para Parlamentit dhe të japë llogari për atë që po ndodh në galeritë e vdekjes.
“Çfarë duhet të ndodhë akoma që Ju të përgjigjeni para Parlamentit Z. Kryeministër? Dhe sa minatorë të tjerë duhet të vriten në galeritë e vdekjes, që Ju të bindeni se duhet të jepni llogari para Parlamentit? Çfarë duhet të ndodhë që Ju t’i nënshtroheni Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe Ligjeve në fuqi? Z. Kryeministër, heshtja Juaj ndaj situatës në Bulqizë nuk mund të ketë shpjegim tjetër veç kapjes së shtetit, korrupsionit dhe nënshtrimit ndaj karteleve mafioze që kanë zaptuar Bulqizën. Por njëkohësisht, heshtja Juaj është edhe simbol i injorimit të shtetit ligjor, parlamentarizmit dhe detyrimit Tuaj kushtetues për të dhënë llogari para deputetëve”, shkruhet më tej në letër.
Top Channel