Premiot e “sportistëve” të BSH

01/09/2012 00:00

Ekipi amator i volejbollit në Bankën e Shqipërisë i ka shpenzimet më të larta edhe se sa përfaqësuesja kombëtare e volejbollit.

Krahasimi i të dhënave zyrtare nga buxheti i bankës dhe Ministria e Sporteve tregon se në katër vitet e fundit, ekipi i volejbollit me anetar nga stafi i Bankes se Shqiperise ka shpenzuar më shumë fonde se sa Federata Shqiptare e Volejbollit, ajo e Atletikës, Mundjes dhe Boksit.

Sipas të dhënave, në katër vitet e fundit Banka e Shqipërisë ka shpenzuar 374 mijë dollarë për aktivitetet sportive, mesatarisht 93.5 mijë dollarë në vit.

Kjo tabelë e bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve tregon fondet vjetore që jep buxheti i shtetit për disa disiplina. Në tre vitet e fundit Federata Kombëtare e Volejbollit ka marrë mesatarisht 90 mijë dollarë në vit, më pak se sa volejbollistet femra të Bankës së Shqipërisë.

Me këto para Federata e Volejbollit organizon kampionatin kombëtar, paguan stafin e saj dhe financon kombëtaren shqiptare të volejbollit, atë që përfaqëson zyrtarisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Por ekipi i volejbollit në BSH nuk kushton më shumë vetëm se kombëtarja e volejbollit. Fondet që merr ai janë 34 për qind më të larta se federata e atletikës, po kaq më shumë se sa federata kombëtare e boksit dhe gati 15 për qind më shumë se sa federata e mundjes.

Banka e Shqipërisë nuk përfaqëson Shqipërinë në aktivitete sportive, por shifrat tregojnë se ekipet e saj financohen shumë më tepër nga kombëtaret respektive.  

Top Channel