Pas një muaj ndërprerje, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nisën
sesionin parlamentar të vjeshtës. Në fjalën e hapjes, kryetarja e Kuvendit, e cilësoi sesion e ri parlamentar, si tepër të veçantë pasi
përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë.

Zonja Topalli u ndal në prioritetet e kësaj legjislature, duke e vënë theksin në reformat për të përmbushur kushtet e BE-së.

“Kemi përpara një axhendë integrimi dhe reformash. Siç e keni konstatuar në këtë sallë edhe pse herë të bojkotuar apo të trazuar një gjë nuk ka ndryshuar, axhenda, ajo e ka patur dhe e ka emrin vetëm reformë. Disa nga këto reforma kërkonin edhe votën e opozitës, për disa, opozita muajt e fundit ka votuar së bashku me mazhorancën. Por me 6 gusht ne mbyllim sesionin ashtu siç nuk duhej. Nuk u votua një ligj që lidhej me heqjen e privilegjit tonë. Ky ligj, si edhe ai i Gjykatës së Lartë, nuk miratohen nëse opozita nuk voton. Miratimi i tyre nuk bëhet për t’i bërë as nder, as favor mazhorancës, as edhe qeverisë. Ato i shërbejnë vendit, por kërkohen edhe nga Brukseli”, tha Topalli.

Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlamentar të opozitës fillimisht i bëri një analizë të detajuar punës së deritanishme të presidentit, Bujar Nishani, për të cilin tha se “kreu i shtetit në tre raste hodhi firmën duke mos marrë “nishan”.

Pa kaluar 1 muaj në deyrë, – tha Ruçi, -Presidenti hodhi tre fima politike. Sipas zotit Ruçi ky sesion parlamentar nis duke e gjetur Shqipërinë pa parlamentarizëm. Duke u ndalur në çështjen e integrimit dhe imuniteteve, zoti Ruçi tha se maxhoranca ka dy muaj që është duke e përdorur këtë çështje për të manipuluar publikun përballë dështimit në marrjen e statusit.

“Ne shpresojmë që ju të reflektoni. Ne ju ftojmë sinqerisht t’i votoni amendamentet tona, t’i bashkoheni këtij vizioni dhe këtij qëllimi që ne kemi. Ne po nisin një sesion të ri, do të hapim siparin e një beteje të re politike. Ne do të nisim një betejë së bashku me shqiptarët, në një front të madh opozitar me të, si dhe me të gjitha ato forca politike që kundërshtojnë këtë regjim, si shans i vetëm për t’iu kthyer shpresën dhe besimin e munguar shqiptarëve”, tha Ruçi.

Ndërsa, Astrit Patozi, kryetar i grupit parlamentar të PD-së, ia kushtoi tërësisht fjalën e tij veprimeve të ndërmarra nga opozita, që lidhen me ndryshimet kushtetuese për heqjen e imuniteteve. Patozi e cilësoi liderin e opozitës Edi Rama si armikun më të egër të heqjes së imuniteteve, duke shtuar se PS që prej vitit 2003 ka kundërshtuar heqjen e imuniteteve. Duke evidentuar progresin e pandalshëm të Shqipërisë ndër vite, Patozi u shpreh se ajo që s’ka ndryshuar është vetëm PS-ja. Amendamentet per ndryshimet kushtetuese të paraqitura nga opozita, kryetari i grupit parlamentar demokrat i etiketoi si paçavure.

“Eshtë rasti unikal në botë, kur një forcë politike çon në parlament nisma të tëra, jo që ato të diskutohen dhe votohen, por pikërisht që ato të mos miratohen kurrë. Nuk kemi asgjë për të fshehur, po ta themi që sot se nuk kemi ndër mend t’i miratojmë paçavuret e depozituara, por sigurisht ne do të respektojmë deri në fund të drejtën e opozitës për t’ia futur edhe kot, ndaj do të zbatojmë çdo normë proceduriale në shqyrtimin e nismave të Partisë Socialiste. Kjo nuk është një çështje dëshire apo vullneti të munguar, por ne nuk mund të marrim seriozisht një gjë që Edi Rama dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste, e ka sjellë në Kuvend thjesht dhe vetëm si një pretekst për të zvarritur votimin e kufizimit të imunitetit dhe reformat e tjera të integrimit”, tha Patozi.

Kuvendi me 116 vota miratoi aktin normativ të Qeverisë për krijimin e një task-force, e cila do të merret me ato subjekte të cilat shkaktojnë zhurma.

Nishani: Palët të punojnë bashkarisht

Kreu i Republikës Bujar Nishani, në një mesazh me rastin e çeljes së sesionit të shtatë të legjislaturës së tetëmbëdhjetë, shprehu urimet për një punë të mbarë të punimeve.

“Kuvendi i Shqipërisë është vendi i debatit, konkurrencës, paraqitjes së pikëpamjeve, alternativave, por dhe i konsensusit e vendimmarrjes. Ne jemi në prag të festimeve të 100-vjetorit të themelimit të Shtetit Shqiptar, një çast kyç ky në historinë tonë.Ky çast përkon edhe me një rrugëtim që kemi nisur prej disa vjetësh, aq shumë të dëshiruar dhe që të gjithë bashkë e konsiderojmë si alternativën e vetme: integrimin evropian”, shprehet Nishani.

Në mesazhin publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, kreu i vendit theksoi se vullneti dhe dëshira për ta pasur vendin tonë një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian kërkon kontribute reale.

“Nxis forcat politike të punojnë bashkarisht për të arritur realizimin e detyrave të rëndësishme të parashikuara në 12 prioritetet e Bashkimit Evropian, përpara daljes së raportit të përparimit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.Dëshiroj me këtë rast të nënvizoj rëndësinë e angazhimit të të gjithë deputetëve në heqjen apo kufizimin e imunitetit si një kontribut të vendosjes së një standardi politik dhe ligjor të nevojshëm për një shoqëri dhe një vend që aspiron vlerat evropiane të shtetit ligjor dhe të së drejtës”, theksoin Nishani.

Presidenti kujton se konsensusi i dëshiruar politik, dialogu, toleranca dhe bashkëpunimi i synuar do t’i hapin rrugë një procesi normal zgjedhor ku parashikohet të hyjë vendi ynë në vitin e ardhshëm.

Top Channel