Braçe: Qeveria të mos shesë Albpetrolin

06/09/2012 00:00

Deputeti socialist Erjon Braçe i kërkon qeverisë të ndalë shitjen e kompanisë Albpetrol, që sipas tij po kryhet në kundërshtim me interesat e qytetarëve.

“Është e papranueshme që një sektor i tërë strategjik, për të cilin Shqipëria ka nevojë prioritare, sic është sektori i hidro-karburëve të shkojë i gjithi në dorë të privatëve, për më tepër që shkon në kushtet e një monopoli të pastër”, thotë zoti Braçe.

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist paralajmëron se qeveria po shkon në një rrugë që është provuar tashmë si e dështuar, e cila ka nisur vite më parë me privatizimit e prodhimit dhe që kulmoi në vitin 2008 me shitjen e kompanisë së rafinimit.

“E kam fjalën për privatizimin e Armo-s, në të cilin jo vetëm që mungoi transparenca, por edhe investitori që u përzgjodh paralajmëroi dështimin e konfrimuar totalisht tani, jo thjesht për shkak të dështimit të rafinimit por për shkak të zinxhirit të borxheve ku është përfshirë kompania”, tha Braçe.

Privatizimi i Albpetrol shënon fundin e plotë të pronësisë publike në sektorin e naftës, sepse privati që do e blejë atë do të marrë edhe të drejta të posaçme, që kanë qenë historikisht të shtetit

“Pra ajo do të japë leje tani për shfrytëzimin e vendburimeve të ndryshme, për prodhimin. Pra ajo do japë lejen tani për kërkim në zonat e posacme naftëmbajtëse në Shqipëri. Ajo ka marrë me vendim e qeverisë edhe të drejta të tjera sic është transporti rrjetit të gazit në këtë vend. një monopol kaq i madh që sigurisht do të bjerë në kurriz të shqiptarëve”, deklaroi deputeti socialist.

Por kostot ekonomike sipas Braces nuk janë arsyeja e vetme se pse privatizimi duhet të ndalet. Sipas tij edhe interesat strategjike të Shqipërisë po kompromentohen nga disa ofertues të mëdhenj, që pritet të jenë protagonistë në tender

“Sic janë operatorët rusë ata serbë apo kinezë që janë paraqitur në këtë proces. Unë jam i bindur që nesër ata do të kenë ofertat më të fryra për të marrë me cdo kusht dhe për të ndikuar si kudo ku kanë ndërhyrë edhe në politikën kombëtare të këtij vendi”, u shpreh Braçe.

Ofertat për shitjen e Albpetrol pritet të hapen zyrtarisht këtë të premte dhe deri tani kanë shprehur interes 19 kompani mes të cilave dy amerikane një kineze dhe një ruse.

Top Channel