Biznesi: Tatimet po na mbysin

12/09/2012 00:00

Dhjetëra biznese në vend rrezikojnë falimentin për shkak të gjobave të
larta, që kanë marrë nga tatimet dhe mosrimbursimi i TVSH-së.

Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me punën e administratës tatimore pranë Dhomes Amerikane të Tregtisë. Ndonëse në takimin për adresimin e këtyre shqetësimeve u kërkua prania e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, por zoti Gazmir Spahija nuk ishte i pranishëm.

‘Bizneset shqiptare po përballen me probleme serioze. Kontrolle të përsëritura dhe të pajustifikuara kanë vështirësuar jetën e tyre. Kontrollet e mëparshme tatimore konsiderohen gabim nga inspektimet e tjera që vijnë më pas. Inspektorët ndryshojnë interpretimin dhe zbatimin e ligjit. Ka inspektorë që vazhdojnë të kontrollojnë e rikontrollojnë për të dhënat dhe veprimtarinë që nga viti 2006. E gjithë kjo situatë është shumë larg premtimit për të krijuar një klimë të qëndrueshme për biznesin dhe një atmosferë mikpritëse për investitorët dhe veçanërisht për investitorët e huaj’ , tha David Anderson, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Sipas presidentit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, mosrimbursimi i TVSH-së po shkakton pengesa thelbësore në veprimtarinë e bizneseve.

‘Rimbursimi i TVSH-së po shkon shumë ngadalë. Afatet ligjore për rimbursim kanë kaluar dhe kjo ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë pengesa thelbësore në veprimtaritë e kompanive. Kjo gjë ndikon në kushtet financiare të kompanive dhe sidomos likuiditetit. Sipas ligjit në fuqi bizneset tashmë pretendojnë që rimbursimi i TVSH-së duhet të përfshijë dhe interesat për periudhën që nuk është bërë rimbursimi’, tha Anderson.

Rastet e paraqitura pranë Dhomës Amerikane të Tregtisë kanë të bëjnë me industrinë e telekomunikacionit, çimentos, hidrokarbureve, sektorin e import-eksportit, universiteteve private etj. 

Top Channel