Anëtari i Dhomës së ulët të Parlamentit gjerman, Andreas Schockenhoff ka deklaruar se Serbia duhet të plotësojë 7 kushte për të marrë nga Gjermania dritën jeshile për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Sipas raportimeve të “RTK”, një prej kushteve është edhe Kosova, për të cilën Schockenhoff ka thënë se Serbia duhet të nënshkruajë me të një deklaratë të përbashkët juridike të detyrueshme, që duhet të zbatohet deri në fund të negociatave.

Sipas deputetit gjerman, u takon Kosovës dhe Serbisë ta hartojnë këtë deklaratë, sikurse bënë për traktatin për marrëdhënie të mira fqinjësore mes tyre.

“Për ne është me rëndësi që të arrihet një deklaratë e përbashkët me shkrim para negociatave përafruese me BE-në dhe që deri në fund të negociatave pikat e deklaratës të jenë zbatuar me vepra”, ka deklaruar Schockenhoff.

Më tej zyrtari gjerman ka prezantuar edhe 7 kushtet e qeverisë së Berlinit për Beogradin:

1 – Përmbushja e planit të aksionit të nënshkruar në vitin 2011 me KE-në;

2 – Zbardhja e sulmit ndaj ambasadës gjermane në Beograd në shkurt të vitit 2008;

3 – Angazhim për largim nga e kaluara dhe pajtim në rajon;

4 – Realizimi i plotë i marrëveshjeve të arritura deri tani në dialogun me Prishtinën;

5 – Shpërbërja e strukturave paralele në veri të Kosovës;

6 – Ndikim tek serbët e Kosovës që të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe KFOR-in;

7 – Vullnet se është e gatshme të arrijë normalizimin juridik të marrëdhënieve me Kosovën.

Top Channel