Bilbil Mema: Krimi po godet shtetin

14/09/2012 00:00

Për të folur për ngjarjen e së enjtes, atë të vrasjes së shefit të Komisariatit të Shijakut dhe situatën e krimit në vend, i ftuar në studion e edicionit informative në Top Channel ishte Bilbil Mema, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë.

Sipas zotit Mema situata e rendit publik në vend është e rënduar dhe këtë e tregojnë veprat penale dhe aktiviteti kriminal që ka përfshirë vendin në muajt e fundit e që kulmoi me vrasjen e kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj.

“Situata është e rënduar, kjo e tregon edhe ngjarja e djeshme. Kjo tregon nismën e marrë nga grupet kriminale për të goditur Policinë e Shtetit. Policia duhet të mobilizohet, por duhet të punojnë të gjitha institucionet për të shëndoshur situatën”, tha Mema.

Shifrat alarmante të krimit, ish-drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit ia faturoi mungesës së institucioneve të pavarura dhe korrupsionit. Sipas tij, duhet shumë punë dhe politika duhet të mendohet dy herë para se të miratojë ligjet që kanë të bëjnë me sigurinë publike. Për zotin Mema rritja e kriminalitetit është pasojë e dobësimit të shtetit dhe sofistikimit të krimit.

Sa i përket sistemit të drejtësisë, si hallka e fundit e dhënies së verdiktit për personat e prangosur nga policia që dyshohen për krime, Bilbil Mema bëri thirrje për përmirësimin e ligjeve dhe shtoi se për rastin në fjalë ka vend për hetim për të zbardhur të vërtetën se si përfundoi i lirë një person ndaj të cilit provoheshin krimet e kryera.

Top Channel