Berisha: Topi emëroi gjykatës me para

18/09/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha ka përmendur emrin e ish-presidentit Bamir Topi teksa ka folur për ngjarjen e rëndë të atentatit ndaj gjyqtarit në Vlorë, Skerdilajd Konomi. 

Kreu i qeverisë bëri këtë deklaratë në sallën e parlamentit pasi kreu i grupit socialist Gramoz Ruçi akuzoi mazhorancën e sotme për degradimin e sistemit të drejtësisë, lidhjen e saj me kontigjentë të krimit dhe rritjen e frikshme të vrasjeve në vend.

Kreu i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi: Në mënyrë demonstrative në mes të qytetit të Vlorës, u vra përfaqësuesi i drejtësisë. Sot e kësaj dite, asnjë përgjigje…dhe ja ku erdhëm, përsëri në mes të ditës. Krimi! Krimineli që ti do ta faturosh majtas apo djathtas, që për fushatë elektorale të është dashur në Shijak që të mbushë shportën e votave, kurse tani do ta faturosh majtas. Ndaj është i mbrojtur krimi, se mos majtas, djathtas do të mbrohet, se kështu i ndan kriminelët zoti Kryeministër…dhe ai ngre dorën në mes të ditës pa iu dridhur qerpiku dhe uniformën e kryekomisarit të policisë e godet jo njëherë, por pesë herë. Dhe ne kemi sy e faqe! Ja pse është tjetër gjë ajo që thua, tjetër gjë ajo që bën, se në 21 janar e panë të gjithë se si u vranë demostruesit paqësore dhe si rezultat i kapjes së drejtësisë, u urdhërave dhe pengesave të tua personalisht, po zvarriten e po marrin njëri pas tjetrit pafajësinë. Ja pse kërkohet një përmbysje në këtë drejtim se 158 të vrarë, vetëm 3 muaj bëjnë apel, kush e ka radhën dhe ti e unë nuk duhet të kujtohemi kur ta kenë radhën fëmijët tanë, se këta janë fëmijët e shqiptarëve, janë fëmijë nënash, i ka bërë nëna jo lopa. Ja pse ne kërkojmë që të bëhet reforma në drejtësi.

Kryeministri Sali Berisha: Ka qenë shumë e dhimbshme atentati terrorist ndaj gjykatësit Konomi, por vetëm se duhet të ishe i sinqertë në publik, në shtyp dhe kudo i akuzuari kryesor ishte “Topi juaj”. Nuk kam asnjë fakt dhe ai u përfol si një nga njerëzit që kishte dashur të grabiste tokat në atë zonë me lejtnantët e vet dhe e pati shumë të vështirë kur shkoi në familje.

Rrënimin e sistemit të drejtësisë kryeministri Berisha ia faturoi ish-kryetarit dhe nënkryetarit të KLD-së.

“Cfarë bëri Topi? Cfarë ndodh sot në sistemin e drejtësisë? Shkoni flisni me gjykatës. Kam ndjerë dhimbje të mëdha, kur ata thoshin se, janë në raporte ndërkombëtare, që thonë që për t’u transferuar nga Durrësi në Tiranë duhej të paguaje 50 mijë euro”, deklaroi kryeministri.

Opozita tha se të dy të akuzuarit e Berishës janë të zgjedhur prej tij në krye të institucioneve të drejtësisë, ashtu sic ndodhi me presidentin aktual, kreun e SHISH-it e sic pritet të ndodhë me prokurorin e ri të përgjithshëm, deklaroi opozita në Kuvend në mbështetje të argumentimit se drejtësia është e kapur nga ky pushtet.

Top Channel