Skandali i reklamave shtetërore

19/09/2012 00:00

Mazhoranca në Komisionin e Medias ka refuzuar të votojë kërkesën e
opozitës për një Komision Hetimor për çështjen e reklamave shtetërore,
pas skandalit që ka shpërthyer me fondet prej miliona dollarësh të
shpërndara vetëm në mediat e Qeverisë.

Kryetarja e Komisionit Valentina Leskaj, tha se shperndarja e reklamave ndikon direkt ne lirine e medias.

“Merrni raportin e Departamentit të Shtetit dhe të agjencive të tjera të specializuara për lirinë e medias, çështjen e reklamës shtetërore e fusin te kapitulli i medias. Pse? E fusin aty se ka të bëjë me lirinë e shprehjes, pra ka të bëjë me lirinë e medias dhe ne vetëm nga kjo perspektivë duhet të kërkojmë informacion, jo nga perspektive ekonomike, që me të drejtë e përmendët.Kur mediat vihen në mënyrë të pabarabartë në treg, cënohet pra liria e medias”, tha Leskaj.

Deputeti Alfred Dalipi kërkoi qe te behen publike te gjitha procedurat per shperndarjen e reklamave ne mediat shqiptare, ne nje kohe qe kriteri kryesor, – tha Dalipi- eshte shikueshmeria.

“Unë dëshiroj që Komisioni të kërkonte zyrtarisht pranë këtyre tre Ministrive informacion zyrtar që ne të kemi në dorë mundësisht të gjitha praktikat e përdorura nga këto Ministri lidhur me fondet qeveritare që janë përdorur për reklamimin e mediave, përzgjedhjen që u bëhet këtyre mediave nga këto dikastere”, tha Dalipi.

Zoti Dalipi tha se nese konstatohen abuzime, duhet te ngrihet nje Komision Hetimor për këtë çështje, pasi bëhet fjale për shuma të mëdha parash që iu janë dhënë mediave preferenciale.

“Nëse unë do të kem dokumentacionin e duhur, do të më çojë në një ushtrim të funksion tim si parlamentar, ngritjen e një Komisioni Hetimor, lidhur me përdorimin e këtyre fondeve dhe me shpërndarjen e këtyre fondeve. Tani po i kërkoj zyrtarisht se shifrat janë të frikshme dhe alokimi dhe shpërndarja që është bërë është e parabartë dhe do më çojë mua te konkluzioni nesër në një tryeze, që unë te them që ‘Qeveria ka përdorur paratë e shqiptarëve për t’i bërë reklamë vetes në mënyrë selektive'”, tha Dalipi.

Por deputeti Mark Marku tha se nuk eshte detyre e ketij Komisioni të hetojë dhe nëse ka shkelje, operatorët mediatikë duhet t’i drejtohen organeve të caktuara.

“Të gjitha mediat duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, sepse kjo është pjesë e lirisë së shtypit dhe të medias. Procedurat e dhënies së reklamës janë të përcaktuara me ligj dhe në momentin kur verifikohen shkelje ligjore çdo institucion mediatik ka të drejtë të ankimohet dhe t’u drejtohet institucioneve, prokurorisë, gjykatës etj. Ne po shndërrohemi në gjykatë, nuk jemi gjykatë, çdo deputet ka të drejtë të kërkojë informacion, le ta kërkojë, por nuk merremi ne me mënyrën se si institucionet shtetërore shpërndajnë buxhetin e tyre. Kjo është një çështje që e përcakton ligji nuk e përcaktojmë ne”, tha Marku.

“Cdo Komisioni Parlamentar e ka detyrë monitorimin e zbatimit të ligjit”, tha Leskaj.

Ne fund votimi nuk u realizua sepse deputetet e mazhorances nuk ishin prezente per kuorumin e nevojshëm, nderkohe qe kishin kerkuar pushim per te marre vendim. Prej disa kohesh opozita ka deklaruar se mediat prane Qeverise, kane marre ne menyre preferenciale nje pjese te madhe te reklames shteterore, duke akuzuar se mund te jene abuzuar deri ne 17 milion euro.

Top Channel