09:28 Serial "Pa kufij" R
10:24 TN "Guximi i nje gruaje" R
Programi i plote
PUBLICITET
Financat në vështirësi
20/09/2012

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se Qeveria po vihet në vështirësi për të mbajtur treguesit e buxhetit brenda kufijve ligjor të vendosur nga Parlamenti.

Sipas të dhënave, vetëm në tetë muajt e parë të vitit Ministria e Financave ka ezauruar të gjithë kufirin vjetor të huamarrjes së brendshme. Gjatë periudhës janar-gusht, Qeveria ka marrë në tregun e brendshëm nga bankat dhe individët 18.45 miliardë lekë borxh, ose  99.67 për qind të gjithë planit vjetor. Në total kufiri i borxhit të ri që mund të marrë Qeveria përgjatë vitit 2012 është 41.1 miliardë lekë, por pjesa tjetër është huamarrje e jashtme, e përcaktuar me ligj vetëm për financimin e projekteve të huaja kryesisht nga donatorët dhe bankat e zhvillimit. Përmbushja e kufirit ligjor të huamarrjes i imponon qeverisë një menaxhim të shtrënguar të buxhetit për ta mbajtur këtë tregues në kontroll.

Masat e para kanë filluar që muajin e kaluar, kur Qeveria miratoi një vendim për displinimin e shpenzimeve, që ndalonte një sërë zërash shpenzimesh për administratën që nga trajnimet dhe deri tek shpenzimet për telefona celularë.

Por kur kanë mbetur dhe katër muaj deri nga përfundimi i vitit buxhetor, kjo situatë mund të krijojë shqetësime edhe për biznesin pasi ekspertët druhen se nevoja për të mbajtur borxhin e brendshëm brenda kufijve ligjorë mund ta detyrojë Qeverinë të shtyjë pagesat për kompanitë që kryejnë punë publike, një fenomen tashmë i njohur vitet e fundit.

Te ardhurat 121 milionë USD me pak

Në tetë muajt e parë të vitit plani fillestar i të ardhurave në buxhet është rrëzuar me mbi 12.1 miliardë lekë ose 121 milionë dollarë. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë peridhës janar - gusht, Qeveria ka mbledhur në buxhet rreth 218.8 miliardë lekë nga 230.9 miliardë që ishte parashikuar.

Shifrat tregojnë se ky mosrealizim vjen në pjesën dërrmuese nga të ardhurat tatimore, defiçiti i të cilave për këtë periudhë është 10.8 miliardë lekë.

Por teksa të ardhurat janë dukshëm nën planin, kjo nuk ndodh me shpenzimet. Për tetëmujorin shpenzimet e përgjithshme të Qeverisë ishin 241 miliardë lekë, vetëm 3.3 miliardë më pak se parashikimi.

Mosrealizimi i të ardhurave dhe ritmi i lartë i shpenzimeve ka bërë që deficiti buxhetor, të jetë për tetë muajt e parë rreth 165 për qind e planit. Qeveria po e mban pezull rishikimin e buxhetit për shkak të privatizimeve në proces. Nëse tenderi i mistershëm i 'Albpetrol' do të përfundojë me sukses, atëherë Qeveria mund të dalë me skenarë të tjerë financiarë, jo vetëm për 2012-ën, por siç po parlajmërohet jozyrtarisht edhe për vitin e ardhshëm elektoral.  / Top Channel







Më shumë nga ekonomia
Kritika për agjencitë e vlerësimit
Tri agjencitë e mëdha të vlerësimit të riskut i bëjnë të dridhen të gjithë në botën financiare, por ekspertë të ndryshëm të ekonomisë kanë akuza të rënda për Standard & Poor’s, Moody’s dhe Fitch.
Biznesi, propozime për paketën fiskale
Sipërmarrja private i ka drejtuar qeverisë një sërë propozimesh që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit si dhe kërkon implementimin e tyre në paketën e re fiskale të vitit që vjen.
Shqipëria, perspektivë të qëndrueshme
Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit, Moody’s, ka konfirmuar në nivelin B1 dhe me prespektivë stabël shkallën e besueshmërisë së borxhit të qeverisë shqiptare.
BB: Pakti me CEZ, i domosdoshëm
Në kulmin e debatit të fortë politik, që ka hapur marrëveshja e qeverisë shqiptare me kompaninë CEZ, ka reaguar për herë të parë edhe Banka Botërore.
Tatimet, rezultat historik në 23 vitet e fundit
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se, muajin që lamë pas, ka mbledhur mbi 16 miliardë lekë të ardhura nga taksat, duke shënuar rezultatin më të mirë në 23 vitet e fundit.


Top Channel 2001-2014
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i permbajtjes se kesaj faqeje.