Bizneset turistike, rrezik falimentimi

20/09/2012 00:00

Megjithëse numri i turistëve që kanë vizituar vendin tonë ka ardhur në rritje, shumë biznese rrezikojnë falimentimin për shkak të standardeve të ulëta të shërbimit.

Këtë e pohoi Kryetari i Unionit të Operatorëve Turistikë të Shqipërisë Sadik Malaj në simpoziumin “Turizmi shqiptar në rrugen e zhvillimit” të organizuar nga Ministria e Turizmit,Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

“Megjithë përpjekjet turistikë shqiptarë dhe ofertave joshëse për të tërhequr turistë nga vendet e Bashkimit Europian, në plazhet shqiptare me shumë ditë qendrimi, pavarësisht përvojave sporadike ka rezultuar një përvojë jo e suksesshme. Shohim që pas kaq vitesh biznese në zonat turistike si Golem, Plazh, Kavajë, Durrës po rrezikojnë të falimentojnë nga mënyra e ndërtimit, menaxhimit dhe e konceptimit të të bërit turizëm bregdetar”, deklaroi Sadik Malaj.

Zoti Malaj gjithashtu vlerësoi rritjen e turizmit si dhe suksesin e tureve me tematika historike. Sipas informacioneve të operatorëve turistikë, vizitorët e huaj kanë treguar interes të vecantë për objektet e trashëgimisë sonë kulturore.

Ndersa Ministri Bumçi në fjalën e tij ka vlerësuar ecurinë e turizmit si dhe ka paraqitur shifrat për sezonin e kaluar turistik.

“Kontributi total, i tërthortë, pra jo thjesht industri, por gjithë zinxhirin që vë në lëvizje kjo industri, është 287.9 mld lektë të reja, ose 21.7 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha ministri Aldo Bumçi.

Sipas Ministrit, numri i vizitorëve jo rezidentë me nënshtetësi të huaj për periudhën janar-gusht të vitit 2012, ka qenë rreth 25 përqind më i lartë se e njëjta periudhë e vitit 2011.

Top Channel