Berisha kontestohet në Romë

21/09/2012 00:00

Kryeministri italian Mario Monti ftoi për një drekë mirësjelljeje pesë kryeministra që ndodhen në Romë me rastin e Internacionales Demokristiane të Qendrës.

Në shtëpinë e pritjes brenda Villa Pamphili, ai drekoi me kryetarët e qeverive të Shqipërisë, Spanjës, Greqisë, Hungarisë dhe Irlandës.

Kryeministri shqiptar Sali Berisha u prit në hyrje të vilës qeveritare nga një grup aktivistësh të Aleancës Kuqezi.

Me një pankartë ku akuzonin për tradhti kombëtare shefin e qeverisë së Tiranës dhe me parulla të tjera, aktivistët e ardhur nga disa qytete të Italisë tërhoqën sërish vëmendjen mbi çështjen e negociatave të kufirit detar me Greqinë.

Pikërisht sipas Aleancës Kuqezi, gjatë udhëtimit në Romë ishte planifikuar dhe më pas është zhvilluar një takim sekret mes kryeministrit shqiptar dhe atij grek mbi këtë çështje, e cila në Shqipëri ka një sensibilitet shumë të lartë dhe është shpesh në qendër të debatit politik.

Kryeministri Berisha përshëndeti nga makina aktivistët që protestonin kundër tij dhe më pas forcat e sigurisë identifikuan pjesëmarrësit dhe i ftuan ata të largoheshin nga hyrja e vilës.

Sipas njoftimeve të qeverisë italiane, përpara drekës së përbashkët kryeministri Monti zhvilloi takime të veçanta dypalëshe vetëm me kryeministrat e Greqisë, Spanjës dhe Irlandës.

Top Channel