Shalsi: Edhe Integrimi në skandal; reagon qeveria

23/09/2012 00:00

Edhe Ministria e Integrimit Europian që drejtohet nga Majlinda Bregu nuk i ka shpëtuar përfshirjes në atë që Partia Socialiste e ka quajtur si “skandali i reklamës shtëtërore” nga ku paratë e takspaguesve shqiptarë janë përdorur për të reklamuar punën e qeverisë.

Deputeti Eduart Shalsi, duke iu referuar një dokumenti zyrtar, tha se Ministria e Integrimit ka shpenzuar 170,000 dollarë për spote publicitare dhe reklamë.

“Nuk janë përgjigjur se pse kompania Ministry of Communication, e cila nga Kontrolli i Lartë i Shtetit u sugjerua të dëmshpërblente me 90 mijë dollarë për dëmin e shkaktuar, është Ministria e Integrimit që i jep 170 mijë dollarë për realizime dhe transmetime spotesh. Nga njëra anë dënohet nga KLSH-ja e nga ana tjetër ushqehet me fonde nga qeveria”, theksoi Shalsi.

Në ditën e pestë të denoncimit të këtij skandali, zoti Shalsi deklaroi se pavarisht që janë shpenzuar miliona dollarë, qeveria nuk jep shpjegime.

“Qeveria nuk u është përgjigjur akuzave tona gjë që tregon se kjo qeveri përballë të vërtetës nuk ka me çfarë të mbrohet dhe nuk ka argument”, shtoi Shalsi.

Shpenzimi prej 170,000 dollarësh nga Ministria e Integrimit e çon në 8,761,000 dollarë shumën e shpenzuar për reklamë nga Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Transporteve.

Reklamat, reagon qeveria

Qeveria reagoi përmes zëdhënëses së kryeministrit, Erla Mëhilli.

“Këto ditë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, është rikthyer te politika e bllokimit, por dhe e bllofeve dhe e trillimeve si alternativë kryesore e tij.”

“Kështu ai me gojën e Shalsit, ka disa ditë me radhë që dizinformon qytetarët mbi përmbushjen e detyrimit Kushtetues e ligjor të qeverisë për informimin e qytetarëve shqiptarë, për të gjithë veprimtaritë e saj dhe proceset madhore të vendit.”

“Kreu i Partisë Socialiste, i cili nga viti 2006 deri ne vitin 2011 si kryetar i Bashkisë së Tiranës,  të gjitha reklamat, njoftimet televizive dhe ato në mediat e shkruara të vendit në tërësinë e rasteve ja u dhuroi vetëm 1 televizioni kombëtar dhe 2 televizioneve lokale që ai kontrollonte, përkatësisht Top Channel, News 24 dhe Vizion+  si dhe 3 gazetave të tij gazetës Shekulli, Gazetës Shqiptare dhe Shqip, madje shpesh duke shkelur rregullat e prokurimit publik, bërtet tani se qeveria në shpërndarjen e reklamave dhe njoftimeve paska favorizuar disa media të caktuara dhe diskriminuar të tjera.”

“Jam këtu për të informuar qytetarët shqiptarë, se me porosi të Kryeministrit, në të gjitha fushatat informuese të këtij institucioni gjithçka është bërë në përputhje me rregullat e prokurimeve publike dhe se spotet televizive u janë shpërndarë 3 televizioneve kombëtare TVSH, TV Klan dhe Top Channel , kurse njoftimet në mediat e shkruara janë shpërndarë në të gjitha mediat pa asnjë dallim. Qeveria shqiptare është kufizuar në këtë shpërndarje me 3 mediat kombëtare për shkak të fondeve duke kujtuar këtu se ka shpenzuar për veprimtaritë informuese, 4 deri në 7 herë më pak se çdo qeveri e rajonit e më gjerë.”

“Në rast se zoti Rama për 5 vjet me radhë përjashtoi nga fushatat informuese të Bashkisë së Tiranës të gjitha mediat që ai nuk i kontrollonte, Këshilli i Ministrave  nuk e ka bërë këtë  në as edhe një rast të vetëm, madje ka treguar mirëkuptim si në rastin e televizionit Top Channel, i cili jo gjithnjë ka qenë i gatshëm të transmetojë në kohën dhe shpeshtësinë e kërkuar spotet televizive të qeverisë, por ka preferuar të ofrojë kohën që ky televizion në përputhje me programacionin e vet e kishte më të mundshme.”

Top Channel: Deklaratat e qeverisë, të pavërteta

Top Channel i cilëson totalisht të pavërteta deklaratat e zëdhënëses së Kryeministrit dhe i kërkon qeverisë që të tregojë rastet konkrete kur televizioni nuk ka pranuar reklamë për arsye programacioni, siç shprehet ajo. Top Channel ka pranuar dhe transmetuar të gjitha spotet që kanë sjellë ministritë dhe agjensitë që ajo ka përzgjedhur për t’i shpërndarë buxhetet e saj. Nga sa është bërë publike së fundmi, por edhe kohë më parë, shihet se si Top Channel, si media më e madhe në vend është trajtuar nga qeveria njësoj me TV-të lokale të sapoformuar dhe gazetat partiake me tirazh shumë të ulët. Madje, të gjitha projektet dhe inisiativat që Top Channel ka konsideruar të vlefshme për publikun, janë refuzuar të financohen prej Ministrive me justifikimin “për mungesë fondesh”.

Akuzat e qeverisë ndaj “Shqip”, shpifje të turpshme

Gazeta “Shqip” e konsideron tërësisht të pavërtetë dhe fyese deklaratën e djeshme të zëdhënëses së qeverisë, e cila aludon se kjo gazetë e pavarur ka qenë e kontrolluar prej ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe se për këtë arsye është financuar nëpërmjet fushatave informuese të Bashkisë së Tiranës.

Gazeta “Shqip” nuk është përfshirë në asnjë rast në të ashtuquajturat “fushata informuese”, por ka botuar në vijimësi njoftime punësimi të Bashkisë së Tiranës dhe të institucioneve të tjera, publikime të cilat bashkitë, komunat dhe të gjitha institucionet shtetërore janë të detyruara me ligj t’i publikojnë në gazetat kryesore.

Gazeta “Shqip” dëshiron të vërë në dukje se njoftimet e publikuara në faqet e saj janë botuar në të njëjtën kohë edhe në gazeta të tjera kryesore të vendit, përfshirë edhe ndonjë që nuk është përmendur në deklaratën e zëdhënëses së qeverisë.

Për hir të transparencës, më poshtë po botojmë edhe një tabelë përmbledhëse të publikimeve të bëra për llogari të Bashkisë së Tiranës, në periudhën janar 2007-prill 2011.

Gazeta thekson gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e publikimeve, me vlerë 1,75 milionë lekë, nuk janë paguar ende nga Bashkia e Tiranës, e cila që nga koha që është nën drejtimin e Lulzim Bashës nuk ka publikuar as edhe një njoftim në Gazetën “Shqip”.

Stafi i Gazetës “Shqip” ndihet i fyer nga deklarata e zëdhënëses së qeverisë, e cila akuzon për kontroll të politikës redaksionale nga një person apo një parti politike.

Nuk e dimë se ku e gjen zëdhënësja të drejtën për të arritur në përfundime të tilla, kur njerëz me poste në qeveri, që njihen si zërat më kritikë ndaj Edi Ramës, kanë pasur hapësirën për shprehjen e opinioneve të tyre në faqet e Gazetës “Shqip”.

Zëdhënësja mund të pyesë z. Ylli Manjani, zv.ministër në qeverinë “Berisha”, z. Agim Isaku, drejtor në Ministrinë e Jashtme, kandidatin e mazhorancës për president, z. Artan Hoxha, apo të tjerë njerëz që mbajnë poste politike në administratën shtetërore, se si kanë mundur ata ta kritikojnë z. Edi Rama në faqet e Gazetës “Shqip”, kur kjo gazetë paskësh qenë e kontrolluar prej tij.

Është e turpshme mënyra se si qeveria po mundohet t’i bëjë bisht përgjegjësisë për shpenzimin e miliardave për propagandë, duke akuzuar mediat e pakta që i kanë rezistuar presionit të saj dhe përpiqen të kryejnë misionin e informimit të publikut në mënyrë të paanshme dhe profesionale.

Gazetarët e Gazetës “Shqip” janë të vendosur të hulumtojnë, të denoncojnë dhe të kritikojnë çdo rast korrupsioni, të abuzimit me pushtetin, të shkeljes së ligjit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut, pavarësisht se çfarë pozicioni politik kanë shkelësit. Për sa kohë këto fenomene i kanë rrënjët te qeverisja, fokusi i hulumtimeve tona do të jetë pikërisht aty.

E vetmja gjë që ka rëndësi për ne është interesi i publikut dhe ata që punojnë kundër këtij interesi do të jenë gjithnjë armiqtë tanë, qofshin të majtë a të djathtë, në pushtet apo në opozitë.

 

Top Channel