Shitja “ACR”, edhe “Decometal” në shitje

27/09/2012 19:30

Nuk është vetëm “ACR” në shitje apo në kërkim të një partneri të ri biznesi. “Decometal”, grupi austriak që zotëron minierën e kromit në Bulqizë përmes kompanisë “Albanian Chrome” është zyrtarisht në shitje.

”Top-Channel” zotëron një dokument zyrtar që konfirmon se për shkak të vështirësive financiare grupi austriak është në administrim te kontrolluar dhe ne shitje.

Siç vërteton ky dokument, pronarët austriakë janë duke negociuar dy opsione. i pari është një shitje e pjesshme e aksioneve që do të injektonte kapital të ri për të lehtësuar financat e kompanisë.

Ndërsa opsioni i dytë është ai i shitjes së 100 për qind të aksioneve të grupit, çka do ta çonte automatikisht minierën e Bulqizës, ose koncesionin më të madh të kromit në Shqipëri, në duart e një pronari të ri për herë të dytë.

Sipas dokumentit, procesi i është besuar një kompanie konsulence, e cila është ngarkuar për të gjetur blerësit potencial dhe zhvillimin e gjithë negociatave deri në finalizimin e shitjes.

Acr, 9 mln euro humbje, koncesionaria shet nën kosto kromin e Bulqizës

Në dokument që konfirmon negociatat për shitjen e grupit decometal jepet e detajuar edhe gjendja financiare e “ACR”, një nga 6 kompanitë minerare që zotërohet nga grupi austriak.

Të dhënat tregojnë se “Albanian Chrome”, kompania që ka me koncesion minierën e Bulqizës është në gjendje të vështirë financiare dhe prej vitesh del me humbje në Shqipëri.

Sipas të dhënave në vitin 2010, humbjet e kompanisë ishin 1.77 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar ato u rritën në 9 milionë euro për shkak të rënies së të ardhurave dhe rritjes së shpenzimeve materiale.

”ACR” prodhon aktualisht rreth 3 mijë tonë krom në muaj në minierën e Bulqizës. Por, pjesa dërrmuese e tij shitet tek kompania e saj mëmë, austriakja “Decometal” me çmim më të ulët se ai i tregut si edhe nën apo baraz me koston e prodhimit, siç pranohet edhe vetë në raport, çka pakëson të ardhurat e kompanisë.

Ndërkohë, që shitjen në tregjet e huaja dhe fitimin duket se e realizon kompania mëmë “Decometal”.

”Albanian Chrome” e zotëron minierën e Bulqizës prej më shumë se 5 vjetësh dhe në të gjitha vitet ajo raporton humbje duke hedhur me e pakta dyshime dhe paqartësi mbi suksesin e koncesionit më të madh minerar në vend.

Tashmë që kompania del në shitje, e ardhmja e minierës së Bulqizës vihet sërish në pikëpyetje, pasi deri tani kompania ka ndërruar dy pronarë, fillimisht “Darfo”-n dhe më vonë “ACR”-në, të cilët kanë shfrytëzuar rezervat e gatshme, pa kryer investimet e detyrueshme në kontratën koncesionare.

Për disa ekspertë, kjo ka vënë në rrezik jetëgjatësinë e minierës, e cila pa investime mund të bëhet e pashfrytëzueshme duke groposur pasurinë më të madhe minierare në Shqipëri.

Top Channel