Bello: Largimi i ACR-së rrezikon minierën

29/09/2012 00:00

Ish-zëvendësministri i Energjetikës, Pajtim Bello paralajmëron se
largimi i ACR-së nga koncesioni i Bulqizës vë në rrezik jetëgjatësinë e
minierës së kromit dhe hapjen e saj drejt thellësisë.

“Ky koncesionar që është sot, me fitimet që ka realizuar, duhet ta hapë thellësinë, sepse kanë marrë të gjitha rezervat që kanë qenë të hapura, ndërsa nëse vjen dikush tjetër, ai duhet të investojë nga e para me kapitale të veta, pra do të niset që në fillim të marrë rriskun e investimit drejt thellësisë”, thotë Bello.

Hapja e minierës në thellësi ishte një kusht i detyrueshëm në kontratën e koncesionit, por që nuk u përmbush. ACR thotë se një nga shkaqet ishte gjendja e vështirë financiare, pasi sipas saj miniera ka dalë çdo vit me humbje. Por zoti Bello thotë se ky argument është i dyshimtë.

“Nga momenti që ne flasim dhe po të shtyhemi ose 6 ose 7 vjet përpara, asnjë prodhues kromi nuk ka dalë me humbje, sepse konjuktura ka qenë jashtëzakonisht shumë e favorshme, biles me fitim kanë dalë edhe prodhuesit e kromit të varfër. Unë nuk e besoj që të jetë vetëm thjesht një çështje keqmenaxhimi, por është detyra e Ministrisë së Ekonomisë dhe e Qeverisë, që të verifikojë se si janë realizuar transkaksionet”, thotë Bello.

Vetë ACR pranon se i gjithë kromi i prodhuar në Shqipëri është shitur tek kompania mëmë ‘Decometal’ në Austri me çmim nën kosto dhe më të ulët se tregu. Kjo e fundit e rieksporton atë në Kinë me çmime më të larta, një skemë që përkeqëson bilancin e ACR-sër në Shqipëri dhe rrit të ardhurat për ‘Decometal’. Ish-zëvendësministri Bello dyshon për një skemë të parapërgatitur, që ka synuar shfrytëzimin e rezervave pa kosto dhe moskryerjen e investimeve.

“Duke e nxjerrë edhe me humbje për një ose dy vjet, nuk është ndonjë çudi të shpallet ndonjë faliment të minierës. Pra, të jetë gjithcka e përgatitur nën hundën dhe nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë, e cila ka insistuar edhe në shtyrjen e trafikut të investimeve, por edhe në mosplotësimin e kërkesave që bënë minatorët në grevën e tyre”, tha Bello.

Miniera e kromit në Bulqizë është më e madhja në Europë me rezerva të llogaritura në rreth 2 milionë tonë. Aktualisht ACR prodhon rreth 3 mijë tonë në muaj që në vlerë përafrohen në rreth 32 milionë euro eksporte në vit.     

Top Channel