Pas premtimeve në fushatë, ditët e para të mandatit të tij, kryetari i bashkisë Lulzim Basha ndërmorri aksione për lirimin e trotuarëve nga tavolinat e karriket.

Një vit më pas, aksioni duket se ka dështuar dhe qytetarët shprehen të indinjuar për trotuarët e zënë nga karriket dhe tavolinat më së shumti.

Ata duhet të zgjedhin ose të kalojnë duke u sforcuar përmes tavolinave ku të tjerë shijojnë kafe në trotuar, ose të zbresin në rrugë e të ndeshen me automjetet, duke krijuar vështirësi për të dy palët.

“Nuk është normale, duhet respektuar rregulli dhe ligji deri në fund. Është shumë e vështirë kështu”, thotë një kalimtare. “Shikojeni vetë, rruga është për këmbësorët dhe kalon makina. Këtë e ka bashkia në dorë”, thotë një i moshuar.

Moda e zënies së trotuarëve ka kaluar tashmë përtej zonës së bllokut, e njohur për lokalet e shumta, dhe është shtrirë edhe në të tjera lagje të kryeqytetit.

Ndërsa aksionet e bujshme për lirimin e trotuarëve deri edhe nga vazot e luleve, duket se e patën jetën të shkurtër dhe efektin edhe më pak se aq.

“Dha një deklaratë se nuk do të ketë tavolina në trotuare, por ato kanë dalë edhe në mes të rrugës, kot më kot”, ankohet një qytetar.

Dështimi i kësaj nisme dhe të tjerave gjatë këtij viti, në rastin më të keq tregon se bashkia ka probleme me kontrollin e territorit, ndërsa në rastin më të mirë tregon se goditjet janë selektive dhe përdoren thjesht për show.

Top Channel