
Kryeministri serb Ivica Daçiç nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij se ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme.
“Vazhdoj të mendoj se kjo është zgjidhja më e shpejtë, më e mirë dhe më e drejtë, e cila është e pranueshme edhe për shqiptarët, edhe për serbët, sepse merr parasysh interesat e tyre legjitime”, ka deklaruar Daçiç.
Në një intervistë për të përditshmen sllovene “Delo”, Daçiç ka thënë se ky opsion është gjithësesi një qëndrim personal, i cili nuk mund t’i imponohet Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar.
Kryeministri, dikur zëdhënës i Sllobodan Millosheviç, ka nënvizuar më tej se qeveria e tij është e interesuar për një zgjidhje paqësore dhe për vazhdimin e dialogut me Prishtinën.
“Ky dialog, sipas mendimit tonë, duhet të përfshijë edhe çështjet politike dhe jo vetëm ato teknike”, ka vënë në dukje Daçiç.
“Pavarësia e Kosovës nuk mund të jetë e plotë përderisa nuk ka pajtim dhe marrëveshje me Serbinë”, ka vijuar ai.
Opsionin e ndarjes së Kosovës, konkretisht pjesës veriore të saj, Daçiç e përmendi edhe muajin e kaluar, duke e konsideruar si zgjidhjen më ideale që mund të sjellë paqen mes serbëve dhe shqiptarëve.
Por ideja në fjalë kundërshtohet nga faktori ndërkombëtar dhe autoritetet e Kosovës, me argumentin se do të kishte efekt domino në të gjithë Ballkanin.
Top Channel