Fyle: Statusi, topi në anën tuaj

11/10/2012 00:00

Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Europian Stefan Fyle, në një intervistë për Top Channel, thekson përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e reformave dhe klimën e re pozitive pas paktit politik.

Zoti Fyle tha se katër prej prioriteteve janë përmbushur plotësisht, në dy ka mjaft progres dhe tani fokusi do të jetë përmbushja e kritereve të tjera.

TCH: Për të ndihmuar Shqipërinë, Komisioni ndërrmori një qasje të re në mars, me fokus në reformat politike dhe parlamentare, me një listë kriteresh minimale për të rekomanduar vetëm statusin kandidat. Por ju bëtë sot një rekomandim të kushtëzuar, pasi edhe kushtet e kësaj liste nuk u plotësuan në kohë.

Stefan Fule, Komisioneri Evropian për zgjerimin e BE-së:
Fillimisht dua të bëj të qartë që të mos ketë përshtypje se ka dy procese paralele, pasi ne kemi vetëm një proces i cili nisi dy vjet më parë, me Opinionin dhe rekomandimet tona për 12 prioritetet kyçe, të cilat qëndrojnë mes Shqipërisë dhe nisjes së negociatave për anëtarësim.Shqipëria ka dhënë rezultate të plota në katër prej tyre, mendoj se dhe në dy të tjera ka mjaft progres, e që me shpresë do të përmbushen së shpejti plotësisht. Pra fokusi tani do të jetë në ato prioritete që nuk janë plotësuar ende.Në të njëjtën kohë, ne u përpoqëm të ndihmojmë, jo vetëm autoritetet, por edhe opozitën, gjë që mendoj se solli një rezultat shumë të mirë, jo vetëm me marrëveshjen e nëntorit të kaluar që mundësoi një angazhim të ri për të punuar sëbashku pikë së pari për axhendën evropiane. Hartuam një lloj liste që kërkonte një masë kritike rezultatesh, e cila do ta vinte Komisionin në një pozicion të favorshëm për të paraqitur propozimin për dhënien e statusit kandidat. Dhe ju keni të drejtë që një pjesë e mirë e asaj liste mori masa nga lista 12 prioritetet, dhe kjo zshtz arësyeja pse bëhet fjalë për një proces të vetëm dhe jo për dy procese paralele. Ndërkohë që Shqipëria ka përmbushur pjesën më të madhe të çështjeve të kësaj liste, ajo gjithsesi dështoi në tre prej tyre : ligjin për Shërbimin Civil, atë për Gjykatën e Lartë, dhe në miratimin e ndryshimeve të rregullores së Parlamentit. Pra për të qenë të besueshëm, ne nuk patëm zgjidhje tjetër përveçse t’i rekomandonim vendeve anëtare t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat, por me kushtin që Shqipëria të përmbushë edhe këto tre çështje. Dhe topi është tashmë jashtë mase në anën e Shqipërisë se sa shpejt do t’i plotësojë, ndërkohë që Komisioni është i gatshëm t’i informojë vendet anëtare që të nesërmen se detyrat e shtëpisë u kryen.

TCH: Progresi i dukshëm në raport-progres për reforma parlamentare dhe politike në Shqipëri, nuk ndihet nga populli, nuk preket në jetën e tij të përditshme, për shkak të mungesës së përgjithshme të zbatimit të ligjeve. Një shembull i kësaj është greva e urisë e ish-të burgosurve politikë nga regjimi komunist, ku një person i dytë tentoi vetëflijimin duke i vënë zjarrin vetes. A jeni në dijeni të kësaj, dhe a jeni të vetëdijshëm për moszbatimin e ligjeve në Shqipëri.

Stefan Fule: Jam në dijeni të kësaj dhe jam i shokuar dhe thellësisht i prekur nga ajo tragjedi. Është për të ardhur keq që njerëzit duhet të zgjedhin këtë formë proteste, për t’iu kërkuar autoriteteve të përmbushin diçka që vetë autoritetet jo vetëm e kanë premtuar, por aktualisht e kanë kthyer dhe në ligj. Zbatimi është problem dhe unë shpresoj që qeveria të vendosë rregull ‘në punët e shtëpisë’, në veçanti për këtë çështje. Kjo sepse unë vetë kam një respekt shumë të thellë për ata që janë persektuar nga regjimet e mëparshme, nga regjimet totalitare. Unë mendoj se ata duhet të trajtohen me respekt. Dhe mendoj se elementi bazë i këtij respekti është që, nëse kompensimi është premtuar dhe është kthyer në ligj, ky ligj duhet të zbatohet.Në anën tjetër, mungesa e zbatimit së cilës iu referuat ju është në të vërtetë një çështje e përgjithshme edhe në fusha të tjera. Kjo shpjegon pse Komisioni përqafoi një qasje të re vitin e kaluar në lidhje me ato vende që arrijnë deri tek negociatat për anëtarësim, duke hapur që në fillim kapitujt 23 dhe 24 të negociatave, kapituj këto që merren me liritë themeltare, me gjyqësorin, Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, e ashtuquajtura ‘fuqia e butë`e legjislacionit evropian e cila lidhet ngushtë me vlerat dhe parimet mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian. Kjo do të thotë se ne nuk do të ndjekim vetëm plotësimin e kutive të detyrave, se u miratua ligji, faleminderit shumë, është perfekte. U ngritën institucionet, faleminderit shumë, gjithçka është perfekte. Jo. Në kuadrin e negociatave për anëtarësim ne do të fokusohemi shumë tek gjurmët e provave dhe do të kemi instrumente të cilat nuk i kemi pasur më parë. Por mesazhi i rëndësishëm është sigurisht që zbatimi nuk duhet të presë çeljen e negociatave apo që ne të kemi instrumentin efikas, jo vetëm për të parë sa janë zbatuar gjërat, por nëse jo, edhe për të pasur mjetet për t’ia bërë shumë të qartë autoriteteve se duhet të përmbushin angazhimet e tyre.

TCH: Në lidhje me drejtësinë, apo sundimin e ligjit që përfshin gjyqësorin, korrupsionin, krimin, Shqipërisë i mbeten shumë punë, e veçanërisht dhënia e rezultateve, por kur flasim për drejtësinë, dua të sjell në vëmendjen tuaj një tjetër shembull konkret, letrën që ju ka dërguar anëtari i familjes së njërit prej viktimave të 21 janarit mbi procesin gjyqësor që po zhvillohet. A po e ndjek Komisioni, a po e ndiqni ju vetë këtë proces dhe si duhet të jetë ai për të dëshmuar një drejtësi të pavarur dhe pa ndërhyrje politike.

Stefan Fule: Nuk është surprizë që sundimi i ligjit dhe reforma në gjyqësor janë mes atyre prioriteteve kyçe, ku Shqipërsië i mbeten ende çështje ku duhet të japë rezultate. Dhe ndërsa ne nuk komentojmë mbi çështje individuale, kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi në dijeni të tyre dhe kjo nuk do të thotë se kur i shohim këto raste i themi vetes, a është ky një rast i izoluar, apo një incident fatkeq i sistemit. Por shohim nëse tregon shenja çështjesh sistematike që duhen adresuar. Dhe kur ne kemi ndjeshmërinë se këto çështje janë sistematike, atëherë përpiqemi që kjo të reflektohet në raport-progres. Në fund të fundit raport-progesi nuk është vetëm mbi çfarë na është thënë nga autoritetet, madje larg kësaj. Ai bazohet në punën aktive të delegacionit tonë, në bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare, por edhe me shumë aktorë të tjerë, përfshirë shoqërinë civile në Shqipëri.

TCH: Zgjedhjet janë një tjetër pikë e rëndësishme, veçanërisht për Shqipërinë, prej historikut të famshëm të saj. Një javë më parë ju vetë nuk e kishit ndarë ende mendjen se si do të përdorej ky kusht. Cfarë bëri që ta vendosni si kusht për negociatat e jo për statusin.

Stefan Fule: Tani po përpiqesha të kujtoja se ku saktësisht nuk jam shprehur ashtu siç duhet, javën e shkuar siç thatë, sepse unë nuk e kam lidhur kurrë çështjen e zgjedhjeve me atë të statusit kandidat. Ka një lidhje me këtë të fundit dhe kjo është përmirësimi i kodit zgjedhor. Kjo lidhet me faktin që ne na bën të ndihemi më të rehatshëm për të propozuar dhënien e statusit kandidat. Por në të njëjën kohë, dhe ja ku vijmë sërish tek fjala magjike :« zbatim ». Gjetja e konsensusit mes qeverisë dhe opozitës mbi ligje shtesë e mbi disa hapa ligjore për zgjedhjet, është një gjë. Por është tjetër gjë të zhvillosh zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe plotësisht legjitime. Kjo është arësyeja pse ne e lidhëm këtë të fundit me rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësim.

TCH: Ju i dorëzuat tashmë rezultatet e raport-progesit. Cfarë prisni nga Shqipëria dhe cilat janë pritshmëritë tuaja nga vendet anëtare ndaj rekomandimit që iu drejtoni.

Stefan Fule: Dëgjoni. E dorëzuam, por çfarë ne dorëzuam janë vlerësimet tona mbi punën e bërë në Shqipëri. E përsëris, dialogu dhe puna mes qeverisë dhe opozitës mundësoi një përparim të rëndësishëm. Mendoj se shqipëtarët duhet ta përgëzojnë njëri-tjetrin për punën e bërë në mënyrë që Komisioni të jetë në pozicion për të propozuar statusin kandidat, megjithëse të kushtëzuar, që vendet anëtare të marrin një vendim. Mendoj se është një lajm i mirë për qeverinë, një lajm i mirë për opozitën, një lajm i mirë për gjithë shqiptarët. Unë shpresoj që të gjithë të ndihen mirë për këtë.Tani, unë shpresoj me të vërtetë shumë se pas atij angazhimi shumë të qartë nga ana jonë, por edhe nga pritshmëritë e qarta, se koha nuk do të shpërdorohet në Shqipëri. Dhe se i gjithë mobilizimi në dialogun mes qeverisë dhe opozitës do të mundësonte plotësimin e tre çështjeve të mbetura. Sa më shpejt ta bëjë Shqipëria këtë gjë, po aq shpejt Komisioni do të shkojë tek vendet anëtare për t’ju thënë se puna është bërë dhe tashmë iu takon juve të merrni në konsideratë dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. »

Përgatiti:
Ernest Bunguri

Top Channel