
Partia Demokratike e Kosovës do të dalë të enjten në Kuvendin e Kosovës me një Rezolutë, përmes së cilës kërkohet që Qeveria e Kosovës dhe me pjesëmarrjen e nevojshme të Komisioneve të Kuvendit, të udhëheqë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura.
Në pikën e parë të kësaj Rezolute, e cila do të hidhet në votim këtë javë, Kuvendi i Kosovës mbështet procesin për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane, Kosovës dhe Serbisë, në interes të zgjidhjes së problemeve në mes të dy shteteve, përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe agjendës europiane për dy shtetet.
Më tutje, në këtë draft dokument, shkruhet se dialogu dhe rezultatet e tij duhet të jenë në pajtim me sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin ndërkombëtar, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm kushtetutes të Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj draft-rezolute, Kuvendi rikonfirmon parimin që ky proces të lehtësohet nga BE dhe mbështetet fuqishëm nga SHBA-të. I gjithë rezultati final i procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve, thuhet në draft rezolutë, do të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës.
“Besoj që është në interes të cdo qytetari që ne të ecim drejt BE-së dhe NATO-“, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.
Rezoluta e sponzoruar nga PDK ka marrë mbështetjen e partive tjera të koalicionit qeverisës, dhe të partisë opozitare AAK, ndërkaq LDK e ka mbështetur në parim por qëndrimin përfundimtar do ta shprehë në seancë. E vetmja që është shprehur kundër është Lëvizja Vetëvendosje.
“Ne sot e kemi marrë si draft. Do të ketë proces të brendshëm konsultimesh. Por kjo rezolutë shkon në Kuvend dhe ne do të konsultohemi deri të enjten. Ne e mbështesim si proces për shfrytëzimin e dialogut që problemet të zgjidhen”, deklaroi deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri.
“Është shumë e dëmshme që të hyhet në bisedime me Serbinë pa kurrëfarë kushti, të hyhet në bisedime e më pas të diskutohet pavarësia”, thotë deputeti VV-së, Glauk Konjufca.
Menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në zyrën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ka qëndruar edhe kryeministri Hashim Thaçi. Në anën tjetër, ende nuk dihet se kush do të jetë në krye të delegacionit të Kosovës, kurse zyrtarë qeveritarë kanë deklaruar se plani për bisedimet është në fazën përfundimtare.
Top Channel