Autoritetet e Kosovës kanë nënshkruar kontratën me konsorciumin “Çalik & Limak” për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës, bën të ditur e përditshmja “Express”.

Përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe ata të konsorciumit kanë theksuar se privatizimi i KEDS-it do të ndikojë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe do të jetë në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Privatizimi i Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike është bërë në qershor të këtij viti dhe Komiteti Qeveritar i Privatizimit shpalli konsorciumin “Limak & Çalik” si ofertuesin më të mirë, me 26.3 milionë euro.

Vetëvendosje përleshet me policinë

Ndaj këtij privatizimi gjatë paradites së të mërkurës protestuan deputetë dhe aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje, 66 prej të cilëve u arrestuan pasi tentuan të hynin në ambjentet ku do nënshkruhej kontrata.

Forcat e policisë përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, pasi disa prej tyre kapërcyen rrethojat e selisë së qeverisë.

Pas vendosjes nën kontroll të turmës nga policia, ishin deputetët e lëvizjes Vetëvendosje ata që qëndruan në hyrje të portës kryesore të qeverisë.

Albin Kurti, Liburn Aliu, Albulena Haxhiu, Visar Ymeri dhe Glauk Konjufca kërkuan me ngulm që të hynin në sallën e ceremonisë së nënshkrimit të kontratës.

Por policia e refuzoi kërkesën e tyre dhe pas disa minutash në përpjekje për t’i bindur i nxori ata me dhunë jashtë oborrit të qeverisë. Albin Kurti gjithë këtë ngjarje e përkufizoi me termin “shtet policor”.

Ndërsa Policia e Kosovës në një deklaratë zyrtare e quajti protestën e Vetëvendosjes një sulm ndaj objekteve shtetërore. Sipas zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të policisë, Naim Rexha, policia u detyrua të përdorte forcën. Rexha tha se mes të lënduarve ka pasur edhe pjesëtarë të forcave të rendit.

Top Channel