Greva e ish të dënuarve politikë, tashmë në ditën e 29, është përplasja e
radhës e kësaj shtrese me qeveritë për cështjen e dëmshpërblimeve.

Saga nisi në vitit 1993 kur qeveria e asaj kohe miratoi ligjin e parë për statusin e ish të përndjekurve. Me një ekonomi të rrënuar, në mungesë të parave u shpërndanë letra me vlerë, që varionin nga 100 deri në 200 mijë lekë për çdo të dënuar në vlerë nominale. Realisht vlenin dhjetëra herë më pak.

Plani ishte të përdoreshin në në privatizimin e ndërmarrjeve publike, por skema dështoi. Privatizimet u ndërprenë dhe shumica e bonove mbetën të papërdorura në sirtare ose humbën tek fonde fantazme të investimeve si ai i Angloadriaticas. Pas dështimit të parë, çështja e dëmshpërblimeve hyri sërish në ngërç, për gati dhjetë vjet.

Në vitin 2003 ish të përndjekurit nisën sërish protestat. Pas përplasjeve të shumta, Qeveria socialiste e asaj kohe propozoi një skemë të re dëmshpërblimi që parashikonte dhënien e një pensioni minimal, 1 mijë lekë në muaj për të burgosurit dhe 5 mijë lekë për të pushkatuarit. Për ata me moshë mbi 65 vjec u propozua kompensimi i menjëhershëm me para në dorë.

Ligji u kundërshtua fort nga ish të dënuarit politikë. Në vitin 2005, me rrotacionin politik në pushtet erdhi Partia Demokratike, një forcë që kishte marrë historikisht votat e ish të dënuarve politikë. Qeveria e re premtoi, ndoshta dhe me doza populizmi, një skemë të re dëmshpërblimi që rriste përfitimet. Ligji u miratua në vitin 2007 dhe parashikonte kompensim 2 mijë lekë për çdo ditë burgu, që teorikisht e rendiste Shqipërinë si një nga vendet që jepte përfitimin më të lartë në rajon për këtë shtresë.

Në vendet e ish-Jugosllavisë të dënuarit nga regjimi i Titos janë shpërblyer me rreth 9 dollarë për çdo ditë burgu, përveç Sllovenisë që i kompesoi në vitin 2003 me 20.4 dollarë për ditë burgu.  Ndërsa në Bosnjë, Maqedoni dhe Malin e Zi nuk janë dëmshpërblyer ende.

Por premtimi i përfitimeve të zgjeruara kishte nga prapa edhe faturën, që e përllogaritur fillimisht arrinte në 46.7 miliardë lekë, gati 5 për qind e Prodhimit Kombëtar.Me ndryshimet vitin e kaluar fatura kalonte edhe përtej kësaj shifre. E gjendur përballë kësaj fature të lartë që e kishte premtuar po vetë Qeveria zgjodhi një skemë dëmshpërblimi me këste pa vendosur afate, që nisën të ndaheshin për herë të parë në vitin 2008. Sipas kësaj skeme në katër vjet janë dhënë vetëm 6.5 miliardë lekë, më pak 14 për qind e shumës së premtuar.

Me ritmet e ndjekura deri më tani, ku Qeveria jep rreth 1.6 miliardë lekë në vit dëmshpërblimi që u është premtuar ish të burgosurve politikë zgjat një çerek shekulli dhe përfundon në vitin 2035.

Ekonomikisht kjo zgjedhje e qeverisë ka dy pasoja. Së pari shpërndan në kohë përfitimet dhe së dyti ul fort masën reale të dëmshpërblimit krahasuar me atë që Qeveria ka premtuar, pasi një lek i dhënë pas disa vitesh vlen shumë më pak nga një lek i dhënë sot. Me këto ritme gjasat janë që dëmshpërblimi i ish të burgosurve politikë të mbetet një çështje e nxehtë edhe për shumë vite, dhe kjo për faj edhe të populizmit të vetë Qeverisë, që për të mbajtur  pranë vetes votat e kësaj shtresë premtoi ndoshta përtej mundësive reale të buxhetit.      

Top Channel