Poliçani, Gërdeci i dytë

19/10/2012 00:00

Pas denoncimit të skandalit të ripaketimit të fishekëve kallshnikov në
Kombinatin Mekanik të Poliçanit dhe pamjeve në ‘Fiks Fare’, se si ky Kombinat po shkatërohet dhe pajisjet e tij po shiten për skrap, reagoi
deputeti socialist i Qarkut te Beratit Fidel Ylli.

Për Yllin, i gjithë aktiviteti që kryhen në Kombinat është i paligjshëm, njëlloj si në Gërdec dhe duhet hetuar nga Prokuroria. Sipas deputetit socialist, në kohën kur Qeveria amerikane jep fonde për shkatërrimin e armëve dhe municioneve, Qeveria shqiptare i ripaketon për qëllime korruptive.

“Unë ju them një gjë që ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe nuk duhet bërë asnjë lloj veprimi i Ministrit të Mbrojtjes në mënyrë të jashtëligjshme. Mund të ketë një ligj për shitjen e armëve, por mesa di unë nuk duhet ne të na ndodhë, ajo që ndodhi me Gerdëcin. Pra nuk duhet të ndodhë që armët kineze që janë të ndaluara me ligj nga shteti amerikan, të hapen kutitë metalike, të lahen të pastrohen, të paketohen me kartona dhe të nisen me arka në desticione të ndryshme. Ky është një veprim që unë mendoj që ka vend për t’u hetuar dhe për të cuar para përgjegjësisë të gjithë ata njerëz, këtë proces zinxhir që nga Drejtori i Kombinatit, që nga ministri dhe Kryeministri për të gjithë këto afera që bën kjo Qeveri”, tha Ylli.

Për deputetin Fidel Ylli, problemi tjetër që shqetëson atë dhe Partinë Socialiste është siguria e punëtorëve të Kombinatit dhe gjendja sociale e këtij komuniteti.

“Ne e kemi ngritur si Parti Socialiste dhe do ta ngremë zërin për të ruajtur jetën e qytetarëve, pasi në Poliçan kanë ndodhur disa vdekje dhe nuk mban askush përgjegjësi. As ai drejtori i papërgjegjshëm që nëpërmjet këtyre projekteve, në vend që të realizojë dhe ato para, të ketë mundësi për t’i investuar dhe për të paguar taksat në Bashkinë e Policanit”, tha Ylli.

Deputeti Fidel Ylli ka denoncuar një tjetër skandal korruptiv që sipas tij po bëhet në këtë Kombinat. Sipas zotit Ylli, godina po bëhet gati për t’u shitur, ashtu si edhe pronat e tjera të Ministrisë së Mbrojtjes pas shitjes thuajse të të gjitha makinerive në këtë uzinë.

“Unë do t’i bëja një thirrje Kryeministrit, ministrit të Mbrojtjes, pasi përvec këtyre që ne po flasim, atje po shkatërrohet ai kombinat i ngritur me mundin dhe djersën e atyre qytetarëve, duke shitur të gjitha makineritë metal-prerëse, frezat, pajisjet e ndryshme që janë akoma në gjendje pune dhe ata po shesin për skrap. Përvecse që po shiten për skrap po prishin edhe godinat dhe do të vijë një moment që ata do ta privatizojnë, ashtu sic po japin dhe po shesin të gjitha asetet e Ministrisë së Mbëorjtjes në të gjithë territorin shqiptar”, tha Ylli.

Top Channel