Shqetësimet e adresuara nga Mark Nika, xhaxhai protestuesit të vrarë më
21 janar Aleks Nika, kanë marrë përgjigje nëpërmjet një letre nga
Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle.

Është Vasislis Maragos, drejtori i Njesise per Shqiperine në Komisionin Europian, i cili i është përgjigjur letrës së zotit Nika në emër të komisionerit Fyle.

“Komisioni Europian i jep një rëndësi të veçantë çështjes që ju ngrini për forcimin e shtetit ligjor dhe pavarsisë së sistemit të drejtësisë të cilat janë disa pika kyçe që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugëtimin e saj drejt integrimit europian”, thuhet në fillim të letrës.

Vasilis Maragos në vijim të letrës shprehet se “Komisioni është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet që lidhen me ngjarjet e 21 janarit 2011. Në progres raportin e vitit 2012 kapitulli për Shqipërinë është nënvizuar nevoja e hedhjes dritë për këto ngjarje përmes një procesi gjyqësor të besueshëm”.

‘Në kontaktet e tij me autoritetet shqiptare,- thotë Maragos, – Komisioneri në mënyrë të vazhdueshme ka nënvizuar nevojën për pasjen e një sistemi drejtësie në Shqipëri transparent, të pavarur dhe eficent, gjë për të cilën ne do të vijojmë ta monitorojmë nga afër’.

Në fund të letrës në emër të komisionerit Fyle, drejtori i Njesise per Shqiperine në Komisionin Europian shprehet se ky komisioni do të monitorojë nga afër zhvillimin e procesit gjyqësor që po zhvillohet në lidhje me 21 janarin.

Top Channel