Borisov: Mbështetje Shqipërisë në BE

22/10/2012 00:00

Në një vizitë dyditore në Tiranë, që ka për qëllim nxitjen e investimeve bullgare në Shqipëri, kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov siguroi kryeminitrin Sali Berisha edhe për mbështetjen politike të vendit të tij kur në Bruksel 27 vendet anëtare të diksutojnë për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

Bullgaria dhe Rumania janë dy vendet e Europës lindore që në vitin 2007 u pranuan me të drjeta të plota në Bashkimin Europian, por fondet e të cilave u pezulluan për shkak të korrupsionit dhe mungesës së funksionimit të plotë të shtetit ligjor.

“Zëri i Bullgarisë dëgjohet në Bruksel. Siç kemi ndihmuar Kroacinë, ne do të ndihmojmë edhe vendin tuaj. Ne mund të japim për Shqipërinë një kontribut të madh, kur Komisioni Europian të vendosë për hapjen e proçesit të bisedimeve për aderim. Ne mund t’ju ndimojmë me përvojën tonë, si pozitive, ashtue dhe negative. Në momentin kur të jetë votimi, mund të shpresoni për votën e Bullgarisë. Ju siguroj për këtë”, deklaroi Borisov.

Çështja e integrimit europian të Shqipërisë ka qenë një nga temat e bisedimeve mes dy kryeministrave, por kreu i qeverisë shqiptare tha se nuk i ka kërkuar homologut të tij në Tiranë dhe as homologëve të tjerë europianë më shumë sesa Shqipëria meriton.

“Natyrisht, kërkesa ime ka qenë shumë korrekte dhe ia shtrova edhe mikut tim këtu. Mbështetje në rast se votohen ligjet. Dhe nuk mund t’u kërkojmë të tjerëve atë që nuk bëjmë vetë. Ky është dhe do mbetet qëndrimi i ndershëm, i hapur dhe i prerë. Ne kemi ofruar për përmbajtjen e tyre dhe ofrojmë konsnesusin më të madh të mundshëm brenda kuadrit kushtetues. Unë shpresoj dhe besoj se nuk ekzistojnë pengesa për t’u votuar. Natyrisht, qeveria nuk ka tre të pestat për votimin e tyre. Cili do jetë qëndrimi i opozitës, a do të përdorë pakicën për të bllokuar votimine tyre apo jo, kjo varet nga ideri i opozitës”, tha Berisha.

Berisha: Bashkëpunim ekonomik me Bullgarinë

Kryeministri Sali Berisha ka hapur pasditen e së hënës punimet e Forumit
Ekonomik Shqipëri-Bullgari, duke e vënë theksin tek bashkëpunimi
ekonomik mes dy vendeve.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka vlerësuar si jetike investimet që biznesmenët bullgarë mund të bëjnë në Shqipëri, e cila sipas tij ka politika miqësore ndaj investitorëve.

“Forumi bëri të mundur ardhjen e afaristëve dhe biznesmenëve bullgarë në Tiranë. Do të ketë një angazhim të qartë të qeverive tona për të zhvilluar marrëdhëniet dypalëshe. Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera, por kanë nevojë për kontributin tuaj. Shtyllat sot janë ato të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Qeveria ime do bëjë gjithçka që ky bashkëpunim të jetë një histori suksesi”, ka deklaruar Berisha.

Si në çdo fjalim tjetër të karakterit ekonomik, kryeministri nuk ka lënë pa përmendur arritjet sipas tij të ekonomisë shqiptare, që nga shmangia e reçesionit e deri tek rritja e saj katër herë më shumë se vendet e tjera të rajonit.

“Ne i rezistuam krizës dhe gjatë këtyre viteve Shqipëria nuk ka rënë në reçesion. Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike 4 herë më të madhe se vendet e rajonit. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e reformave dhe klimës miqësore ndaj biznesit”, ka thënë Berisha.

“Në Shqipëri u rritën eksportet dhe numri i turistëve në 4 milionë e 10 mijë. Gjithashtu, Shqipëria ka një potencial energjitik të veçantë”, ka nënvizuar ai, duke shtuar se vendi ynë ka premisa për t’u kthyer së shpejti në një superfuqi të vogël ekonomike.

Top Channel