Itali, 4 vite burg Berlusconit

26/10/2012 00:00

Gjykata e Shkallës së Parë në Milano dënoi me 4 vite burg ish-kryeministrin italian, Silvio Berlusconi, por ky i fundit do të kryejë vetëm 1 vit sipas ligjit të amnistisë që aplikohet për disa vepra penale të kryera para 2006-ës.

Berlusconi u shpall fajtor për evazion fiskal dhe veç 4 viteve burg, u dënua edhe me 5 vite qendrim larg zyrave publike, 3 vjet larg sipërmarrjeve private, si dhe një gjobë të majme prej 10 milion eurosh. Gjithçka lidhej me parregullsitë e gjetura me shit-blerjet e të drejtave televizive nga Mediaset në vitin 2001.

Sipas vendimit të gjykatës, Mediaset, në pronësi të Berlusconit, ka shfrytëzuar një skemë antiligjore për shit-blerjen e të drejtave televizive të cilat kalonin nga njëra dorë në tjetrën me efektin financiar rritjen artificiale të çmimeve.

Hetimet zgjatën thuajse 10 vjet, ndërsa vetë proçesi gjyqësor zgjati plot 6 vjet dhe përveç Berlusconit, fajtor u shpallën edhe producenti amerikan, Frang Agrama që u dënua me 3 vite burg, ndërsa u la i lirë Fedele Confalonieri, president i grupit mediatik, Mediaset. 

Vendimi i gjykatës ishte më i rëndë se sa pretenca e prokurorisë që kërkoi 3 vite e 8 muaj burg për ish-kryeministrin italian. Në një tjetër proces gjyqësor të ngjashëm, atë “MediaTrade”, Berlusconi dhe presidenti i Mediaset Confalonieri u shpallën të pafajshëm.

Ky është vendimi i gjykatës së shkallës së parë milaneze, ndërsa pritet që vendimi të apelohet në gjykatën e apelit, apo edhe në gjykatën e lartë nga avokatët e “Kavalierit”.

Berlusconi, 76 vjeç dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit nëntorin e kaluar pas krizës së rëndë financiare që përfshiu vendin. Dorëheqja i dha fund dominimit 18-vjeçar të politikës italiane prej tij. Këto vite nuk kanë qenë të qeta për të. Ai është përballur me një mori akuzash dhe procesesh gjykësore, që nga korrupsioni, skandalet seksuale dhe evazioni fiskal.

Aktualisht, Berlusconi është i angazhuar në një tjetër proces gjyqësor, në të famshmin “Rubygate” për marrëdhënie seksuale me një prostitutë minorene, si dhe përdorimin e influencës së kryeministrit për të liruar minorenen nga burgjet pas arrestimit të saj për vjedhje.

Top Channel