Kim Jong-un pushkaton gjeneralët

26/10/2012 00:00

Kur vdiq “Lideri i Dashur” dhjetorin e vitit të kaluar, në gjithë Korenë e Veriut pllakosi zija 100-ditore. Pamjet e ceremonisë funebre të Kim Jong-il bënë xhiron e botës, por edhe më shumë fotot dhe informacione e pakta për liderin e ri, Kim Jong-un.

Ky i fundit u pas si një shpresë për ndryshim kursi nga vendi komunist, por aspak nuk ndodhi kështu, përkundrazi ai po ecën në gjurmët e raprezaljeve dhe shtypjes së popullit të tij, ashtu sikundër i ati.

Këtë e dëshmojnë informacionet e fundit që kanë rrjedhur nga Peniani, ku përflitet se dhjetra zyrtarë të lartë të ushtrisë, përfshirë këtu disa ushtarakë, janë pushkatuar pasi nuk kanë respektuar 100-ditët e zisë kombëtare.

Sipas mediave koreano-jugore, gjeneralët kanë shpenzuar netë nën shoqërinë e femrave dhe alkoolit dhe kjo nuk i ka pëlqyer liderit supreme që ka vendosur t’i ndëshkojë. Mes të ekzekutuarve mësohet se është edhe zv.ministri i Mbrojtjes. Kim Jong-un ka kërkuar që nga ai të mos mbetet asnjë shenjë, ndaj ekzekutimi është kryer me goditje artilerie.

Në Seul mendojnë se janë të paktën 10 zyrtarë ushtarakë të lartë të pushkatuar, që të gjithë me akuzën e shkeljes së 100 ditëve të zisë me konsum alkooli në shoqërinë e femrave. Analistët thonë se akuzat mund të jenë të stisura dhe Kim Jong-un i ka shfrytëzuar për të hequr qafe kundërshtarët potencial në radhët e ushtrisë.

Top Channel