Gjika: Nishani të marrë drejtimin e festës

30/10/2012 00:00

I ftuar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste,
kryebashkiaku Vlorës Shpëtim Gjika paraqiti një katalog me shqetësime
që lidhen me mundësitë e kufizuara që po përballet bashkia e këtij
qyteti, në organizimin e kremtimeve të 100-vjetorit.

“Ka vetëm një 28 Nëntor që i përket Vlorës dhe se Sali Berisha është duke futur duart për ta errësuar rolin e këtij qyteti, duke alokuar vetëm 39 milionë lekë nga fondi prej 5 milionë euro në dispozicionin të organizimeve për 100 vjetorin”, deklaroi Gjika.

“Nuk do të realizohet misioni dhe dëshira e tij që të mos të mbyllen investimet publiket, do të realizohen dhe do të jenë gati brenda datës 10-15 nëntor. Kush të vijë në datë 27 nga Qeveria le të marrë bukë me vete, dreka zyrtare do të jetë në një datë 28 Nëntor dhe të gjitha ceremonitë do të bëhen më datë 28 Nëntor.Nuk mund të marrë përsipër Kryeministri i Shqipërisë të flasë për Protokollin e Shtetit, kur figura e parë në festat jubilare është Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministri është i ftuar, e fton Presidenti. I bëj thirrje edhe Presidentit të Republikës, nëse ka veshë të dëgjojë, të dalë në lartësinë e detyrës që i është ngarkuar edhe t’i dalë zot festës, t’i dalë zot Shqipërisë dhe të vendosë dhe të trashë zërin ashtu siç i takon për të mirën e Shqipërisë”, tha Gjika.

Kreu i opozitës Edi Rama, krahas ndarjes së shqetësimit, për atë që po ndodh me Vlorën, tha se ndodhemi në një moment kur Qeverisë i mungon vizioni dhe një plan për ta festuar këtë vit jubilar.

“Ato pak copa plan kremtimesh, që i kemi dëgjuar deri më sot janë si copa të grisura nga kostumi komunist i festave të Republikës së dikurshme popullore. Ne nuk kemi mundësi ta ndryshojmë këtë tablo bajate të kremtimeve të Pavarësisë, por kemi mundësi të ndriçojmë tek-tuk me nisma të bukura, të thjeshta dhe pa shpenzime të pamundura për ne, siç bëmë me ekspozitën që hapëm në Bruksel. Sot kam dëshirë që të paralajmëroj dhe një nismë të veçantë, të cilën ne do ta zhvillojmë me të rejat dhe të rinjtë shqiptarë në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë. Do të ftojmë të gjithë ata që kanë një ëndërr për Shqipërinë e nesërme, të mbledhur së bashku 100 ëndrrat më të domethënëse dhe duke ftuar të jenë të pranishëm 100 të reja dhe të rinj, që do t’i kenë ndarë me ne dhe përmes kësaj iniciative me të gjithë të tjerët, ëndrrat e tyre për të nesërmen”, tha Rama.

Edi Rama u ndal në atë që ai e cilësoi një konflikt të hapur me fqinjët tanë, që lidhet me marrëveshjen e detit për të cilën i dërgoi një apel Kryeministrit Sali Berisha.

“Sot besoj është ditë e mirë për t’i bërë një apel Kryeministrit dhe për t’i kërkuar që të bëjë gjithçka që i takon në respekt të historisë dhe të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për ta rinegociuar këtë marrëveshje dhe për ta mbyllur këtë burim konflikti potencial”, tha Rama.

Top Channel