Hallouini, si kanë festuar shqiptarët ndër vite

31/10/2012 17:20

Kungujt, kostumet e frikshme, maskat apo edhe qirinjtë e ndezur janë  simboli i Hallouinit, festës që prej disa vitesh po organizohet edhe në Shqipëri.

Legjenda thotë se shpirtrat e vdekur gjatë atij viti mblidheshin së
bashku për t’u përzierë me botën e të gjallëve e për të nisur më pas
rrugën drejt një bote tjetër.

Megjithatë kjo mbetet vetëm një legjendë, një histori mes të vërtetës dhe trillimit që në ditët e sotme përkthehet si një arsye më shumë për të festuar.

“ Njerëzit i kushtojnë më shumë vëmendje përzgjedhjes së kostumeve dhe organizojnë festa në kopshte, shkolla dhe qendra tregtare. Njerëzit janë më të interesuar për këtë festë.” Kështu tregon Enida Hida nga shoqata e animatorëve, e cila tregon se nga viti në vit, ka pasur ndryshime: “Dikur visheshin me kostumin e Borëbardhës, por vitet e fundit njerëzit e kanë kuptuar që duhet të vishen sa më frikshëm të jetë e mundur.“

Pavarësisht faktit se e nesërmja është e enjte, që do të thotë një ditë pune, grupe të ndryshme janë organizuar për të dalë në darkë, kështu që të shpresojmë se deri në mëngjes do ta kemi fshirë nga fytyra maskën e frikshme dhe qesharake. E sigurt që do t’i kursejmë vetes vënien në lojë nga kolegët e punës.

Zakonisht fëmijët kanë frikë nga errësira dhe figurat e frikshme, por këtë festë duket se e kanë shumë përzemër.

Si do të festohet sot në darkë? Kjo mbetet për t’u parë, vetëm mos harroni: Kostume të frikshme!

Top Channel