Shtyhet shitja e ‘Albpetrol’

02/11/2012 00:00

Ministria e Ekonomisë nuk ka arritur të nënshkruajë brenda afatit të parë ligjor kontratën për shitjen e kompanisë Albpetrol.

Top Channel ka mësuar se kompania fituese ‘Vetro Energy’ i ka kërkuar Ministrisë shtyrjen e negociatave edhe me 30 ditë të tjera dhe Qeveria e ka pranuar kërkesën. Para zhvillimit të tenderit, me një vendim të posaçëm që mban numrin 107, qeveria kishte përcaktuar si afat fundor për nënshkrimin e kontratës, kohën 30 ditë pas vendimit për shpalljen e fituesit.

Në po këtë afat paralelisht me nënshkrimin e kontratës kompania duhet të vendoste për llogari të Qeverisë shqiptare një garanci financiare prej 20 për qind të çmimit të ofruar, në të kundërt negociatat do të fillonin me kompaninë e klasifikuar e dyta në tender. Vendimi zyrtar për fituesin u shpall nga Këshilli i Ministrave në datën 3 tetor dhe sipas këtij përcaktimi, afati i fundit për nënshkrimin e kontratës duhet të ishte kjo e premte.

Por kjo nuk ka ndodhur. Kompania ka shfrytëzuar një hapsirë ligjore në vendimin e qeverisë pasi në pikën 3.2 të tij thuhet se afati mund të shtyhet me 30 ditë nëse të dy palët bien dakord. Gjithë procesi për shitjen e kompanisë albteprol vazhdon të jetë i mbuluar nga misteri dhe po kryhet në konfidencialitet të plotë.

Që nga fillimi i negociatave ministria e ekonomisë nuk ka bërë publike asnjë detaj të negociatave, dhe as arsyen e shtyrjes së tyre. Por jozyrtarisht mësohet se shkaku kryesor lidhet me garancinë e kontratës. Sipas vendimit të qeverisë 30 ditë nga shpallja e fituesit, kompania fituese duhet të dorëzonte për llogari të qeverisë shqiptare një garanci në masën 20 për qind të vlerës ose në rastin konkrekt 170 milionë dhe lëshuesi duhet të ishte një prej 50 bankave kryesore në botë.

Burime konfidenciale bëjnë të ditur se kjo cështje nuk është mbyllur dhe po negociohet, çka mund të krijojë hapsira për dyshime apo spekulime mbi suksesin e tenderit, tek i cili duket se janë varur jo vetëm shpresat e buxhetit dhe financave publike, por edhe pritshmërite për gjendjen e ekonomisë në një periudhë afatshkurtër.  

Top Channel