100 ëndrrat e këtij 100-vjetori

05/11/2012 00:00

Qyteti i Flamurit në 28 nëntor do të kthehet edhe në qytetin e 100 ëndrrave më të pëlqyera. Drejt Vlorës do të udhëtojnë bashkë me Edi Ramën 100 shqiptarët që kanë vizionin më të pëlqyer për atë sesi duhet të jetë Shqipëria. Partia Socialiste e mundëson këtë përmes rrjetit social Facebook.

Selia rozë ka bërë aktive një aplikacion nën siglen “Ngri Flamurin”. Për të gjithë ata që kanë një llogari në rrjetin social Facebook, ky aplikacion u aktivizua që në orën 16 të kësaj të hëne.

Kushdo mund të klikojë në të, në profilin e kreut të opozitës Edi Rama, por edhe në linkun që shfaqet në faqen e gjithësecilit në Facebook, me logon “Ngri Flamurin” dhe duke ndjekur instruksionet e duke i plotësuar ato do jetë jo vetëm më afër atmosferës së festës së madhe të Pavarësisë, por drejtpërdrejt pjesëmarrës në të.

Endri Fuga, drejtor i komunikimit në selinë rozë, sqaron se përse është zgjedhur rrjeti social për të përfshirë sa më shumë shqiptarë në realizimin e këtij projekti.

“Ngri Flamurin është një projekt që synon të sjellë festën në rrjetin social. Sot të gjithë janë online dhe pikërisht për këtë arsye ne do të donim që këtë atmosferë festive ta kishim edhe në faqet online, në këtë rast në Facebook”, sqaron Fuga.

Por si plotësohet aplikimi “Ngri Flamurin”? Ai shfaqet në çdo profil FB, pasi ke klikuar në të, në ekran shfaqen të dhënat që duhet të plotësohen, emri, numri i telefonit dhe vendbanimi.

Në këtë hapësirë, brenda 500 karaktereve, mund të shkruash ëndrrën tënde për Shqipërinë dhe më pas ta ndash atë me miqtë në këtë rrjet.

“Çdo përdorues i Facebook mund të ndajë ëndrrën e tij për Shqipërinë me miqtë. Nëse ato marrin më shumë “like”, atëherë autorët zgjidhen për të qenë në 100-vjetorin e Pavarësisë në Vlorë, me Edi Ramën, për të ngritur simbolikisht flamurin”, shton Fuga.

Emrat e 100 shqiptarëve që kanë marrë numrin më të madh të pëlqimeve për ëndrrën e shkruar për Shqipërinë do shpallen nga PS në datën 25 nëntor. Në datë 28 nëntor ata do të udhëtojnë drejt Vlorës, qytetetit të pavarësisë me shpenzimet e PS, që organizon këtë projekt.

Pavarësisht se përdoruesit më të mëdhenj të Facebook janë të rinjtë, selia roze inkurajon të gjithë shqiptarët të shkruajnë ëndrrën e tyre, pasi ëndrrat nuk kanë moshë dhe ëndrra për Shqipërinë na bashkon të gjithëve.

Top Channel