Në gjyq për TEC-in e Vlorës

07/11/2012 16:05

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe shoqeria italiane që ndërtoi termocentralin e Vlorës do të përplasen në Gjykatën e Arbitrazhit për çështjen e TEC-it.

Top Channel disponon shkresën zyrtare ku avokatura e shtetit mobilizohet për të mbrojtur KESH-in dhe qeverinë shqiptare në proçesin gjyqësor që do të mbahet në Paris.

Kompania ndërtuese e termocentralit, i financuar përmes një kredie nga Banka Botërore, është italiania “Mare Inginiering Teknimont”. Mosmarrëveshjet mes saj dhe autoriteteve shqiptare kanë lindur që në vitin 2009.

Sipas kontratës, kompania italiane duhet ta kishte përfunduar veprën në maj të atij viti, por pak para këtij afati, para se të vihej në prodhim termocentrali, pësoi një avari të rëndë në sistemin ftohës.

Pas këtij problemi KESH nuk pranoi të merrte në dorëzim veprën dhe i kërkoi Bankës Botërore të pezullojë pagesën e mbetur për kompaninë italiane prej 10 milionë eurosh.

Paralelisht më këtë Korporata i kërkoi bankës që të ekzekutonte dhe garancinë prej 5 milionë euro të projektit për llogari të saj.

Në atë kohë Banka Botërore u rreshtua me KESH-in duke pranuar të dyja kërkesat, si mospageesën e mbetur ashtu dhe ekzekutimin e garancisë në favor të palës shqiptare, çka përbën dhe rastin e parë kur një institucion publik shqiptar ekzekuton garancinë ndaj një kompanie të huaj private.

Por pas asaj kohe mosmarrëveshjet mes autoriteteve shqiptare dhe kompanisë italiane janë thelluar duke kulmuar me gjyqin e fundit në Arbitrazh.

KESH kërkon nga kompania italiane 11 milionë euro si dëmshpërblim për vonesat nga mosrespektimi i kontratës,  ndërsa edhe italianët kanë pretendimet e tyre që shkojnë në disa milionë euro.

Top Channel