Obama fiton edhe Florida-n

11/11/2012 00:00

Barack Obama fitoi zgjedhjet presidenciale edhe në Shtetin e Florida-s, i përfshirë në listën e “të lëkundurve”, duke zgjeruar triumfin ndaj kundërshtarit republikan Mitt Romney. Florida ishte i vetmi shtet, që nuk kishte shpallur rezultatin.

Shifrat e publikuara treguan se Barack Obama fitoi 50% të votave, ndërsa Romney 49.1%. Barak Obama mori mbi 4 milionë e 200 mijë vota (4.236.032) nga një total prej mbi 8 milionë e 400 mijë (8.471.095). Ai udhëhoqi me 73.858 vota, më teper se Romney, apo më shumë se diferenca prej 0.5%, që do të kishte çuar në rinumërimin e votave.

Numërimi i ngadaltë në këtë shtet u risolli amerikanëve, por edhe botës, kujtimet e hidhura të betejes së vitit 2000, mes demokratit Al Gore dhe republikanit George W Bush. U desh ndërhyrja e Gjykatës së Lartë, për ta shpallur këtë të fundit si President të Shteteve të Bashkuara.

Problemet në Florida nisën përpara ditës së zgjedhjeve. Rradhë të gjata u rregjistruan, gjatë votimit të parakohshëm. Demokratët ndërmorrën një betejë ligjore kundër masave të mbështetura nga republikanët, për kufizimin e periudhës së votimit të parakohshëm nga 14 në 8 ditë.

Por, Guvernatori Rik Skot shpjegoi se këto masa të mbështetura në ligjet e shtetit synojnë të kufizojnë mashtrimet e votuesve. Vota e parakohshme përfundoi të shtunën. Por, në Miami Dade dhe disa konte të tjera, qendrat u hapën për disa ore edhe të djelën.

Një problem teknik keqorientoi 12.500 votues, se zgjedhjet presidenciale ishin të mërkurën. Florida nuk ishte shteti i vetëm, ku pati rradhë të gjata. Votuesit pritën për orë të tëra në shtete si Virginia, New York dhe Washington DC.

Rezultati i Florida-s nuk i erdhi si surprizë asnjërit prej rivalëve të garës presidenciale. Sipas analistëve, ai fuqizon pozicionin negociues të Presidentit me republikanët në Kongres. Nga ana tjetër, fitorja në Florida, një shtet me një popullsi të lartë latine, u jep një mësim republikanëve, që të bëjnë më tepër për ta fituar votën e kësaj pjese të popullsisë.

Sondazhet treguan se kubano-amerikanët në Florida votuan në shifra rekord për Partinë Demokratike. Obama numëron aktualisht 332 vota elektorale,  ndërsa Romney 206.

Top Channel