Zemërimi dhe indinjata e grekëve sa vjen e rritet në orët e fundit pasi shohin se pavarësisht se parlamenti votoi para disa ditësh paketën e masave të ashpra ekonomike, kreditorët e huaj ngurojnë të japin dritën jeshile për lëvrimin e këstit të ndihmës financiare prej 31,5 miliardë euro.

“Greqia po zien” është titulli i kryeartikullit të gazetës të së dielës “TO VIMA” që thekson se drama greke po zgjatet edhe më tepër pasi BE-ja dhe FMN-ja nuk po bien dakord për një zgjidhje përfundimtare të problemit grek. Sipas një sondazhi të institutit Kapa Research, 86% e grekëve deklarojnë se nuk mund t’ia dalin mbanë në jetën e tyre të përditshme pas reduktimeve të njëpasnjëshme të të ardhurave dhe pensioneve në katër vitet e fundit, papunësisë mbi 25,2%, recensionit që po hyn në vitin e gjashtë, ndërsa besojnë se gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë pas marrjes së ndihmës financiare.

Gjithashtu në artikull parashikohen transformime radikale në skenën politike. Por megjithëse, sipas sondazhit, në vend të parë të preferencës së grekëve vijnë Radikalet e Majtë me 23,1%, të ndjekur nga Demokracia e Re me 20,4%, katër ndër dhjetë vetë, vlerësojnë se qeveria më e përshtatshme për të përballuar vështirësitë e krizës do të ishte një qeveri me bosht kryesor konservatorët dhe jo partinë SYRIZA.

Ndërsa gazeta “REAL NEWS”, në artikullin me titull “Duan çelësat e vendit”, kritikon ashpër shantazhin e ekspertëve të Troikës që kërkon vazhdimisht masa të egra ekonomike, të gërshetuara me një mbikqyrje të fortë të kreditorëve në sektorët financiarë të vendit.

“Po na bëjnë zbor” është edhe titulli i gazetës “To Paron”, sipas së cilës kreditorët e huaj, megjithëse morën çfarë deshën, tani kundërshtojnë të japin këstin e ndihmës duke e çuar Greqinë drejt një vdekjeje të ngadaltë. Sipas intervistës së ministrit të Financave, Ëofgang Shcauble tek gazeta gjermane e së dielës Die Welt, Eurozona ka dëshirë ta ndihmojë Athinën, por nuk do të bjerë pre e presionit të kohës për të ndihmuar sepse janë vetë grekët përgjegjës që kanë vonuar kaq kohë reformat e duhura.

Vonesa e dhënies së këstit ka ndezur edhe në Parlament diskutimet për miratimin e projektbuxhetit të vitit 2013 që votohet në mbrëmjen e së dielës.

Athina: Po rritet shovinizmi në rajon

Avramopoulos: Do vlerësojmë pasuritë e territorit, do përcaktojmë ZEE-të

Në kuadrin e diskutimeve në parlament, për miratimin e projektbuxhetit të vitit 2013, ministri i Jashtëm grek Dhimistris Avramopoulos ka dhënë alarmin për rrezikun e rikthimit të sindromit ballkanik të fqinjëve dhe rritjen e shovinizmit në rajon, duke theksuar se Ballkani i trazuar përsëri dërgon mesazhe alarmante dhe kërcënuese.

Megjithëse gjendja, në të cilën ndodhet Greqia, është më seriozja dhe më kritikja, qysh prej Luftës së Dytë Botërore, Athina ruan dhe vazhdon të njëjtën politikë, ka theksuar ai, pa prekur thelbin e prioriteteve kombëtare, për të mos lejuar krizën ekonomike të krijojë një rrëshqitje të stabilitetit kombëtar dhe për të qenë paralelisht faktor sigurie në rajon.

“Me përforcimin e shovinizmit në rajonin tonë, me grupe të parregullta, të cilat vazhdojnë të ndikojnë punët e brendshme në politikën e vendeve fqinje, ne mbetemi e vetmja shtyllë qëndrore e sigurisë, si një vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, tha Dhimitris Avramopoulos, ministër i Jashtëm i Greqisë

Sipas kreut të diplomacisë greke, politika e jashtme që Athina do të zbatojë është përcaktimi i kufijve të të gjitha zonave detare, përfshirë Zonën Ekskluzive Ekonomike me të gjithë fqinjët.

“Bëhet fjalë për një politikë, që do të shoqërohet nga veprime të caktuara, që do të vlerësojnë pasurinë e territorit të Greqisë në det dhe në tokë. Politika jonë do të jetë përcaktimi i gjithë zonave detare, duke përfshirë edhe Zonën Ekskluzive Ekonomike me të gjithë fqinjët tanë, që do të shënojë një hap të stabilitetit dhe të paqes në rajonin tonë”, tha Avramopoulos.

Duke përmendur nënshkrimin e marrëveshjes së projektit të gazsjellësit TAP, ministri i Jashtëm grek ka deklaruar se, iniciativat energjetike të Greqisë do ndryshojnë ekuilibrat gjeopolitikë në rajon.

 

Top Channel