Në kuadër të 40-vjetorit të krijimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në mjediset e Universitetit të Arteve në Tiranë është mbajtur një konferencë shkencore në të cilën kanë qenë të ftuar shumë personalitete të vendit, por edhe përfaqësues nga mbi 24 Akademi Shkencash në mbarë botën.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zoti Gudar Beqiraj, ka evidentuar në fjalën e tij kontributin e institucionit që ai drejton dhe ka vlerësuar disa prej figurave më të rëndësishme që kanë dhënë ndihmesën e tyre ndër vite, në drejtim të dijes.

“Studimet shkencore të kryera nga institutet e Akademisë së Shkencave kanë zgjidhur një varg problemesh themelore të lidhura me njohjen e historisë, gjuhës e kulturës së popullit shqiptar. Ndër shekuj nuk kanë munguar përpjekjet e shqiptarëve për të lëvruar dijet e tyre. Shumë figura të ndritura të kombit shqiptar, si Sami Frashëri, Hasan Tahsini, Fan Noli, megjithëse e zhvillonin veprimtarinë e tyre jashtë atdheut, u përpoqën jo vetëm për liri e pavarësi, por edhe për zhvillimin e arsimit, kulturës e të shkencës shqiptare”, ka deklaruar Beqiraj.

I pranishëm ka qenë edhe kryeministri Sali Berisha, i cili është vlerësuar nga Akademia Europiane e Shkencave dhe Artit me titullin “Senator Honoris Causa”, për angazhimin e tij në nxitjen e zhvillimit të shkencave në Shqipëri.

“Sot është një rast i veçantë për mua të përshëndes dhe të shpreh nderimin tim më të madh ndaj atyre burrave dhe grave që themeluan Akademinë e Shkencave 40 vjet më parë. Ata ishin kollosë të mendimit intelektual shqiptar, të mendimit akademik shqiptar, në vazhdën e mendimit të rilindësve shqiptarë”, ka deklaruar Berisha.

Me reformën e kryer tre vjet më parë, Akademia e Shkencave ka mbetur tashmë një institucion thjeshte honorifik, pasi të gjitha institutet kërkimore shkencore u hoqën nga varësia e saj, duke iu kaluar universiteteve dhe fakulteteve sipas fushës. Por me këtë trasnferim, puna kërkimore në pjesën më të madhe të tyre thuajse ka pushuar.

Top Channel