Apeli i Ramës: Të ulemi për Fierin dhe ligjet

13/11/2012 00:00

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i bën apel kryetarëve të partive që janë pjesë e koalicionit qeverisës që të ulen në një tryezë gjatë të mërkurës, si një mundësi për të zgjidhur problemin e rëndë të Fierit duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë.

Lideri i opozitës i drejtohet kryetarit të Partisë Demokratike, atij të LSI, si edhe kryetarëve të PDIU-se e të PR për një përpjekje të përbashkët që sipas tij mund t’i hapë rrugën votimit të Rregullores së re të Parlamentit si edhe dy ligjeve të përcaktuara nga Komisioni Europian si të nevojshme në rrugën e marrjes së statusit.

“Kryetari i Partisë Socialiste është i gatshëm të ulet në tryezë së bashku me të gjitha forcat parlamentare qeverisëse dhe opozitare për të adresuar këtë problem në një përpjekje vullnetmirë për t’i hapur rrugë zbatimit të vendimit të gjykatës dhe po ashtu miratimit të tre akteve që kërkojnë votën e opozitës”, deklaron Rama.

Kreu i PS-së thotë se “kush e dëshiron vërtet statusin e kandidatit për Shqipërinë ka detyrimin të bëjë çdo përpjekje deri në fund dhe Edi Rama është i gatshëm për ta përmbushur detyrimin e opozitës duke e bërë deri në fund përpjekjen në emër të Partisë Socialiste”.

Sipas tij, pavarësisht se një numër vendesh anëtare të BE shkojnë shumë përtej këtyre tre akteve në gjykimin e tyre për çka Shqipëria nuk ka përmbushur, opozita shqiptare nuk nguron të eksplorojë çdo mundësi që së paku këto tre akte të miratohen.

Edi Rama thotë se Partia Socialiste është e vendosur të mbrojë bindjen se çështja e Fierit është një çështje e demokracisë në Shqipëri dhe po ashtu se integrimi europian nuk është vetëm ligjvënie, por edhe zbatim i ligjit,  shpreh vullnetin e mirë për t’u ulur në tryezën e dialogut që  nesër dhe për të kërkuar rrugën e zgjidhjes së bashku me palën kundërshtare në emër të interesit të vendit.

“Çështja e Fierit është një çështje e funksionimit të demokracisë e të shtetit të së drejtës dhe çështja e miratimit të tre akteve është një çështje e integrimit që s’mund të kuptohet pa funksionimin e demokracisë e të shtetit të së drejtës. Problemin e Fierit e ka krijuar politika dhe mund e duhet ta zgjidhë politika”, thekson Rama, i cili thotë se i takon kryeministrit që ta pranojë ose jo idenë e një ballafaqimi të drejtpërdrejtë për këtë çështje, në një tryezë të partive parlamentare.

“E nëse e pranon edhe të caktojë orën dhe vendin e ballafaqimit”, përfundon Rama.

***

Thirrjes së socialistëve për tryezë ndërpartiake me mision zhbllokimin e pengesave të integrimit i është përgjigjur pozitivisht PDIU.

Në deklaratën e saj, PDIU thotë se edhe pse vonë, ftesa e Ramës mbetet për t’u vlerësuar me shpresën, që sipas kësaj partie, të mos jetë një taktikë mikropolitike boshe për një shoë mediatik, por një përpjekje serioze.

Reagon PD: Fieri dhe ligjet, s’kanë lidhje me njëra-tjetrën

Pak pas ftesës së Ramës reagoi Partia Demokratike. “Pas bllokimit prej dy muajsh të votimit në Parlament të tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Europian si kushte për statusin kandidat të vendit dhe  pasi vendosi  në mbledhjen  e paradites së sotme të Grupit Parlamentar te Partisë Socialiste, bllokimin ditën e enjte të votimit të këtyre ligjeve, zoti Rama botoi sot pasdite një deklaratë në të cilën përpiqet të shpërndajë përgjegjësinë e bllokimit të votimit të këtyre ligjeve me forca të tjera parlamentare që kanë qënë dhe janë të gatshme në cdo kohë për votimin e tyre”.

Partia Demokratike thotë se zoti Rama lidh përsëri votimin e ligjeve në Parlament me situatën e Fierit,  gjëra këto që nuk kanë asnje lidhje me njëra-tjetrën. Për më keq, ai kërkon thirrjen e tryezës politike të partive parlamentare për të zgjidhur problemin e Qarkut të Fierit, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë dhe për t’i hapur rrugë zbatimit të vendimit të kësaj Gjykate.

“Me këtë kërkesë, zoti Rama dëshmon edhe një herë vullnetin e tij të pandryshuar për të bllokuar votimin e ketyre ligjeve dhe statusin e kandidatit për Shqipërinë”, deklaron PD e cila thekson se është e gatshme të ulet në cdo tryezë, të diskutojë me PS çdo amendament apo propozim që ajo mund të paraqesë për tekstet e këtyre ligjeve që prej 2 muajsh presin të votohen në Parlament.

PD thotë se ka ofruar zgjidhje politike dhe kushtetuese për Qarkun e Fierit, mocionin për të gjithë këshilltarët e saj, pikërsisht atë akt ligjor të cilin Partia Socialiste me këshilltarët e saj e ka ushtruar në Komunën Dremenas dhe Bubullimë.

Sipas PD-së, në çdo vend të lirë demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës është një detyrim ligjor kushtetues i Institucionit të Përmbarimit dhe organeve të tjera të zbatimit të ligjit, të cilat funksionojnë vendosmërisht në të gjitha rastet që u kërkohet nga palët e interesuara.

“Zbatimi i tyre nuk mund të pëngohet nga asnjë forcë e vetme politike apo disa forca të marra së bashku, ndaj edhe kjo nuk mund të jetë çështje e një debati tryezash partiake, por është detyrim madhor kushtetues”, perfundon deklarata e PD .
 
“Po në këtë kontekst, në qytetin e Fierit, Gjykata kishte percaktuar seancën gjyqësore për gjykimin në themel të çështjes së Qarkut të Fierit. Ishte PS që kërkoi shtyrjen për dy javë të tjera të gjykimit të çështjes për arsye të cilat i di vetëm zoti Rama. Gjatë kësaj periudhe PD ka bërë çdo gjë për të gjetur zgjidhje ligjore dhe kushtetuese për problemin e Fierit, i cili nuk ka asnje lidhje me votimin e ligjeve në Parlament, kurse z,Rama çdo ditë ka kërkuar dhe mbrojtur pretekste absurde për bllokimin e këtyre ligjeve të një rëndesie jetike për integrimin e vendit”.

Top Channel