CEZ i heq energjinë ujësjellësave

15/11/2012 01:12

CEZ Shpërndarje do të ndërpresë të premten furnizimin me energji ndaj të gjithë kompanive të ujësjellësit, që janë debitore ndaj kompanisë. Shuma, që këto kompani i detyrohen CEZ, ka arritur në 5,4 miliardë Lek ose 38 milion Euro.

Këto kompani janë njoftuar herë pas here për borxhet e tyre ndaj CEZ Shpërndarje dhe afatet për pagesën e borxhit janë shtyrë disa herë.

Kompania CEZ Shpërndarje, nga ana e saj, ka sqaruar përmes zyrës së shtypit, në një njoftim për mediat, se deri tani janë kryer takime të shumta me përfaqësues të kompanive të ujësjellësit, duke iu ofruar atyre mundësi të ndryshme zgjidhjeje, si skema lehtësuese për shlyerjen e debisë me këste dhe mundësinë e pagesës së pjesshme të debisë.

CEZ Shpërndarje ka ofruar gjithashtu edhe anullimin e borxheve të kompanive të ujësjellësit, përkundrejt borxhit që CEZ Shpërndarje i detyrohet KESH-it, gjë që fatkeqësisht është refuzuar gjithashtu.

“Ne kërkojmë ndjesë për shqetësimin, që kjo mund të sjellë për publikun, por duhet të kihet parasysh që CEZ Shpërndarje, si kompani private, varet nga mbledhja e detyrimeve mujore për energjinë e konsumuar nga të gjithë klientët e saj dhe se mospagesa e borxheve po i shkakton një dëm financiar serioz kompanisë, gjë që nuk mund të tolerohet më. Ne dëshirojmë të këshillojmë publikun, që të përgatitet për ditët që pasojnë 16 nëntorin, duke u siguruar që të mbushin të gjitha rezervat e mundshme, që kanë në dispozicion, dhe të interesohen pranë kompanive të tyre të ujësjellësit, nëse ata ofrojnë alternativa për furnizmin me ujë të konsumatorëve të tyre”.

Publiku gjithashtu duhet të nxisë kompanitë e ujësjellësit për shlyerjen e borxheve të tyre ndaj CEZ Shpërndarje. Ekipet tona do të qëndrojnë në gadishmëri të plotë për të kryer rilidhjen e menjëhershme të ujësjellësave, në momentin e kryerjes së pagesave apo arritjes së një marrëveshjeje.

Top Channel