Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës ka liruar nga akuzat ish-gjeneralët
kroatë të luftës, Ante Gotovinën dhe Mlladen Markaçin, duke urdhëruar
lirimin e menjëhershëm të tyre.

Në gjykimin e shkallës së parë, më 15 prill të vitit të kaluar, Gotovina ishte dënuar me 24 vjet burg, ndërsa Markaç me 18 vjeç.

Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës, në fillim të leximit të vendimit përfundimtar ka thënë se nuk ka asnjë dëshmi për angazhim të përbashkët kriminal, me qëllim largimin e popullatës civile nga Krajina, territor kroat, me anë të përdorimit të forcës.

Gjykatësi kryesues Theodor Meron, ka thënë se Dhoma e Apelit pranon pjesërisht ankesën e Gotovinës dhe të Markaçit dhe kundërshton përfundimin se sulmet në katër qytetet e Kroacisë, Knin, Obrovac, Graçac dhe Benkovac, kanë qenë të jashtëligjshme.

Dhoma ka konsideruar po ashtu se ikja e civilëve gjatë sulmeve të artilerisë nuk mund të karakterizohet si dëbim.

Gotovina ndodhej në paraburgim në Sheveningen, që nga viti 2005, kur është arrestuar në Spanjë, ndërsa Markaç nga viti 2004, kur është dorëzuar vullnetarisht.

Të tre ata akuzoheshin për vrasje, dëbime dhe persekutim të serbëve gjatë fushatës ushtarake në fund të luftës së viteve 1991 – 1995 në Kroaci.

Gotovina dhe Markaç priten si heronj

“Kjo është pika mbi i, lufta i takon së kaluarës dhe duhet t’i kthehemi të ardhmes”. Kështu tha gjenerali kroat Ante Gotovina gjatë fjalimit të tij para mijëra vetëve të mbledhur në sheshin kryesor Bane Jelacic të Zagrebit.

Ai së bashku me gjeneralin Mlladen Markaç u liruan nga Gjykata e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi dhe euforia për ata që një pjesë i quan “heronjtë kroatë” nisi në çdo shesh të vendit.

Qeveria e Kroacisë nisi menjëherë avionët në drejtim të Holandës, ndërsa ata u përshëndetën nga kryeministri i vendit, kurse në shesh mbërritën edhe bashkëluftëtarët.

Gotovina tha se kjo është një rrufe juridike, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen. Euforia kaploi edhe mediat që nuk u përmbajtëm me lëvdata dhe heroizma, përfshirë edhe ato që njihen si më liberale.

“Kjo është dita e heronjve dhe atyre që luftuan për vendin”, thoshte index.hr, një nga faqet më të njohura të internetit. Mijëra qytetarë ndoqën nëpër sheshe transmetimin e gjyqit ku gazetarët nuk përmbajtjen dot emocionet dhe simpatitë e tyre.

Gotovina, i akuzuar për operacionin “Olluja” apo “Rrufeja”, ka qenë pjesë e zezë e historisë kroate pasi ndodhej në arrati deri në vitin 2005.

Ndërkaq nga Perëndimi misioni për rivënien e kontrollit mbi territor dhe spastrimet etnike i kushtuan vendit në integrimet evropiane.

Megjithatë, Gotivina u shpall i pafajshëm në proçesin e dytë gati në të gjitha pikat. Ky vendim i gjykatës hidhëroi Serbinë zyrtare, e cila vendosi të ftohë marrëdhëniet me Hagën. Qeveria e Serbisë e quajti të turpshëm vendimin dhe legjitimim të spastrimeve etnike. 

Top Channel