Francë, luftë ndaj krimit në Korsikë

16/11/2012 15:40

Qeveria franceze premtoi masa të ashpra për të rikthyer rendin publik në ishullin problematik të Korsikës, i cili vuan nga krimi i organizuar dhe mesatarja më e lartë e kriminalitetit në vend.

Ndonëse ka një popullsi prej 300 mijë banorësh, në Korsikë ndodhin një e pesta e të gjithë vrasjeve kriminale të Francës, shtet me 65 milion banorë.

Ministri i Brendshëm, Manuel Valls dhe ajo e Drejtësisë, Christiane Taubira, vizituan të premten së bashku ishullin, vendlindje e Napoeleon Bonapartit, pasi një biznesmen u vra në një atentat gjatë javës.

Jacques Nacer, i cili kishte në pronësi një biznes veshjesh dhe udhëhiqte Dhomën e Tregëtisë së Korsikës, u qëllua për vdekjen të mërkurën.

Ishulli i ndodhur në jug të vendit, i populluar nga një pakicë e rëndësishme italiane, ka një histori të gjatë të krimit të organizuar dhe lëvizjeve separatiste.

Një muaj më parë, Antoine Sollacaro, president i shoqatës së restoranteve dhe një figurë e rëndësishme e lëvizjes kombëtare u qëllua për vdekje brenda makinës së tij ndërsa shkonte për në punë.

Të dy këto vrasje tronditën veçanërisht komunitetin, pasi ata konsideroheshin si dy prej figurave më të respektuara të jetës publike të ishullit.

Rritja e kriminalitetit në Korsikë vjen në një moment kur Parlamenti është i përfshirë nga debate të ashpra, pas statistikave që tregojnë një lulëzim të krimit në të gjithë Francën.

Që prej fillimit të 2011, në Korsikë janë regjistruar 39 vrasje, duke e shndërruar këtë pjesë të territorit francez në zonën më të rrezikshme të të gjithë Europës.

Top Channel