Më 28 nëntor asnjë nga institucionet publike në Kosovë nuk do të punojë. E mërkura e javës së fundit të nëntorit do të jetë ditë feste me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ky vendim është marrë të mërkurën gjatë mbledhjes së qeverisë dhe është bërë i ditur për mediat nga zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi, në një komunikim për mediat.

Ndërkohë, 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ka filluar të festohet në Kosovë në mënyra të ndryshme.

E teksa vendi skuq nga flamujt në shtëpitë e shqiptarëve, dyqane, sheshe e rrugë, edhe Komuna e Prishtines ka zëvëndësuar flamurin shtetëror të Kosovës në hyrje të kryeqytetit, me një flamur gjigand kuqezi.

Me përmasa 10 me 7 metra, flamuri është punuar nga një shtypshkronjë në Prishtinë, enkas për 100-vjetor.

Ndërkohë, nga Prekazi, nga kulla e familjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, një grup personash janë nisur për në Vlorë me kuaj, në një udhëtim që parashikohet të zgjasë 8 ditë.

Kalorësit do të rrugëtojnë nëpër shtigjet të cilat i kanë kaluar Isa Boletini me delegatët nga Kosova, para 100 vitesh, me destinacionin e fundit Vlorën, më 28 nëntor.

LDK feston shpalljen e Pavarësisë

100-vjetori bashkon Mustafën dhe Sejdiun

Partia më e madhe opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka shënuar në mënyrë solemne 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka vlerësuar me këtë rast se 28 nëntori i 1912-ës, së bashku me 17 shkurtin e 2008-ës, ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shënojnë fillimin e kthimit të madh të kombit shqiptar në gjirin e familjes euro-perëndimore.

“Dita e 28 nëntorit e vitit 1912 është dita më e ndritshme e historisë shqiptare e shekullit 20. Në këtë ditë delegatët e mbledhur në Kuvendin e Vlorës shpallën se Shqipëria nga sot bëhet më vete e lirë dhe e pavarur. Bashkë me 17 shkurtin, ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kjo datë shënon fillimin e kthimit të madh të  kombit tonë në gjirin e familjes evropiane, nga e cila ishim shkëputur padrejtësisht 5 shekuj më radhë”, deklaroi Mustafa.

I pari i LDK-së të ardhmen e shqiptarëve e sheh në gjirin e Bashkimit Europian, duke u shprehur se Shqipëria dhe Kosova do të jenë përherë të bashkuara rreth idealizmit shqiptar dhe rreth idesë së përparimit dhe unifikimit.

Njëqindvjetori i Pavarësisë së Shqipërisë bashkoi në të njëjtën sallë të gjitha strukturat e LDK-së nga të gjitha komunat e Kosovës, si dhe ish-presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Top Channel