Ishulli zhduket nga Oqeani Paqësor

22/11/2012 16:05

Një ishull i ndodhur në Paqësorin e Jugut, i treguar në harta të shumta të botës, midis të cilëve edhe në “Google Earth” apo “Google Maps”, nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar asnjëherë, bënë të ditur të enjten ekspertë australian të gjeografisë.

Zbulimi ndodhi pasi një ekspeditë u nis për në këtë territor, me një shtrirje prej disa dhjetëra kilometrash katrorë sipas hartës, por në vend të tokës gjetën vetëm det në vendin ekzakt gjeografik ku lokalizohej ishulli Sendi.

Grupi i ekspertëve të Universitetit të Sidneit, pas studimeve të hollësishme arriti në përfundimin se në të vërtetë, ngjyra e ndryshme nga ajo e Oqeanit Paqësor, e ngatërruar nga satelitët si një rrip toke, ishte një varg i madh koralesh.

Megjithatë, kjo do të hyjë në histori si një prej gabimeve më të pabesueshme ndonjëherë, në një kohë kur Toka është e fotografuar praktikisht në të gjithë anët dhe cepat e saj nga satelitët e shumtë.

Në mediat australiane, shkencëtarja Maria Seton, e cila u nis për të eksploruar ishullin, përshkroi të enjten me doza humori, habinë e saj kur pas 25 ditësh rrugë me një mjet lundrimi, në vendin ekzakt ku ndodheshin ishujt gjeti vetëm një det të thellë 1 400 metra.

Nga ana e tij, në një reagim zyrtar, një zëdhënës i “Google” u mbrojt duke thënë se kompania kishte konsultuar një shumicë burimesh zyrtare, përpara se të vendoste ishujt “fantazmë” në hartë.

Top Channel