Nënkryetari i AAK-së Blerim Shala i kthehet detyrës së vjetër. Ai emërohet koordinator politik ne dialogun Kosovë- Serbi. Dekretin e beri presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Në një komunikatë për media thuhet se “Presidentja e Republikës së Kosovës bazuar në Kushtetuten e Republikës, nenin 83 dhe nenin 84 dekretoi Blerim Shalën, koordinator për dialogun në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Zyrtarët nuk sqaruan rolin e zotit Shala në këtë proces. Mësohet se shefja e delegacionit per dialogun teknik me Serbinë Edita Tahiri do të shkarkohet nga kjo pozitë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i qeverisë së Kosovës e cila e mirëpriti vendimin e presidentes. “Kryeministri Hashim Thaçi ka mirëpritur dekretimin nga Presidentja e Kosovës, të Blerim Shalës, në pozitën e koordinatorit politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Emerimi i Shalës në këtë pozitë shënon edhe ndërhyrjen e parë të një politikani nga opozita në dialogun politik me Serbinë. Për vet Shalën pozita prej koordinatori në bisedime me Serbinë nuk  është një detyrë krejtësisht e re. I emëruar nga presidenti Ibrahim Rugova, Blerim Shala udhëhoqi Grupin Politik Strategjik të bisedimeve në Vjenë.

Top Channel