Ekspozita e flamujve në Tetovë

23/11/2012 19:55

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka bërë bashkë, liderët e dy partive rivale të shqiptarëve në Maqedoni.

Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe ai i BDI-së, Ali Ahmeti kanë pritur bashkarisht zotin Rama para Pallatit të Kulturës në Tetovë, ku u hap ekspozita e flamujve e organizuar nga Partia Soaciaste dhe Komuna e Tetovës.

Kreu socialist, gjatë fjalimit të tij në këtë ekspozitë u shpreh i kënaqur nga pjesëmarrja e Ahmetit dhe Thaçit. Ai tha se më merita për bashkimin e dy liderëve shqiptarë nga Maqedonia i takon flamurit.

”Ju shpreh mirënjohjen time dy miqve shumë të mirë, udhëheqësve shqiptarë të rëndësishëm, Menduhit dhe Aliut për prezencën e tyre këtu dhe sigurisht nuk ia di vetes për meritë, por ia di shqiponjës dhe flamurit që i bashkoi bashkë në këtë sallë. Ka një bukuri të jashtëzakonshme në këtë ekspozitë, sepse është rrugëtimi i flamurit tonë kombëtar dhe shtetëror në një shekull histori”, deklaroi kryesocialisti Rama.

Të pranishmive në eskpozitë i’u drejtuan dy liderët e partive shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

“Gjithnjë do i mirëpresim tentativat e Shqipërisë për të na mësuar shqipen kulturën shqiptare, por do presim edhe shumë ndihma tjera prej Shqipërisë”, u shpreh Thaçi.

Nga ana e tij, Ahmeti theksoi se “kjo ekspozitë iu ngjan tamam periudhave në të cilat kanë vepruar shqiptarët si tërësi që nga periudha e Skënderbeut e deri tek aktet më të larta të ushtrive çlirimtare, të Kosovës dhe asaj kombëtare, Rilindja Kombëtare dhe njëra prej këtyre fazave”.

Ekspozita ku u shpalosën flamujt shqiptarë ndër shekuj, u hap në Tetovëe pas asaj në Shqipëri e Kosovë.

Pas ekspozitës, kreu i PS ka realizuar një takim në seli të PDSH-së me kreun e kësaj partie, Menduh Thaçi.

Top Channel