Nderohen firmëtarët e Pavarësisë

26/11/2012 22:50

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi një nga seancat më mbresëlënëse të tij, jo me deputetët, por me familjarë dhe të afërt të 40 firmëtarëve të Pavarësisë dhe të anëtarëve të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës, që konsiderohet si përpjekja e parë pas shpalljes së Pavarësisë, për të ndërtuar shtetin shqiptar.

Me një ceremoni të kuruar në detaje, kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli ua kushtoi atyre seancën, që në mënyrë simbolike mbylli ceremonitë e nderimit të personaliteteve më të shquara shqiptare të 100 viteve të fundit, me nderimin e firmëtarëve të Pavarësisë dhe anëtarëve të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës.

Kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, me një dedikim të veçantë për secilin, u dha familjarëve dhe të afërmve të firmëtarëve të Pavarësisë dhe anëtarëve të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës botimin special të kuvendit, një botim luksoz në 200 kopje unike, me aktet e themelimit të shtetit shqiptar në periudhën 1912-1920.

Kjo është hera e parë që firmëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë nderohen të gjithë së bashku, në përpjekje për të rikuperuar një padrejtësi historike, ku për shkak të bindjeve politike, disa prej tyre u fshinë nga deklarata e Pavarësisë gjatë regjimit komunist.

Për kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila e mori vetë mirënjohjen për Ndoc Cobën, ministër i qeverisë së Lushnjës dhe drejtues i Konferencës së Pezës, kjo është dita kur nderohet shpirti i shqiptarisë në këto 100 vitet e fundit, kur nderohen të gjithë ata që u sakrifkuan për lirinë e kombit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi dhe të gjithë ata që bënë të mundur ringritjen e shqiptarëve dhe daljen nga diktatura komuniste.

“Po, ne shqiptarët… Sot ne duhet të themi të vërtetat, duke pranuar në të njëjtën kohë, se nuk ka të pagabueshëm. Ne duhet të themi të vërtetat, për t’i paguar tribut shqiptarizmit, shpirtit të ndritur, të pamposhtur, të paepur të atyre, që e deshën këtë tokë (dhè) e këtë komb pa kushte. Koha solli Ismail Qemal Vlorën. Ai ngriti flamurin, flamur që nuk sulmoi kurrë të tjerët. Faleminderit Ismail Qemal Vlorës. Përjetë mirënjohës. Përjetë mirënjohës të gjithë firmëtarëve”, tha Topalli.

“Ne i paguajmë atribut sot Kongresit të Lushnjës, qeverisë së Lushnjës, përpjekjeve të mëdha të tyre. Ne i paguajmë tribut sot Mbretit Zog, të vetmit mbret të shqiptarëve! Ne i paguajmë tribut sot të gjithë atyre që luftuan pushtuesin. Ne nderojmë sot të martirizuarit nga ferri  komunist. Ne nderojmë sot Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin. Sot Kosova është e lirë. Ne i paguajmë tribut sot e i jemi pafundësisht mirënjohës atyre, që 20 vite më parë, kur mbizotëronte uria, frika, shtypja e terrori, u çuan. Kur liria dukej gati e pamundur, u ngritën nga pluhuri. U ngrit e shembi diktaturën komuniste, më të egrën. Bijtë e shqipes u ngritën. Ata ishin të vërtetët, të drejtët, ata guxuan, ata bënë Shqipërinë të lirë, kombin të lirë. Një komb, një qëndrim, është postulati ynë hyjnor”, shtoi Topalli.

Përveç se shprehu mirënjohjen për këta burra, që bënë të mundur ekzistencën e Shqipërisë si shtet, Jozefina Topalli mori përsipër që, përveç nderimit, të bënte edhe një  xhest tjetër në emër të shtetit shqiptar.

“Kërkoj ndjesë në emër të shtetit shqiptar për të gjithë vrasjet, persekucionin, arratisjet e detyuara gjatë regjimit komunist, për firmëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ndërtuesit e shtetit shqiptar”, përfundoi Topalli.

Top Channel