Urimi i ambasadorëve amerikanë

28/11/2012 00:00

Ambasadorët amerikanë që kanë shërbyer në Shqipëri që nga viti 1991 dhe deri më sot përcjellin urimet e tyre për 100-vjetorin e Pavarësisë. Nga Ryerson deri tek Arvizu urojnë të gjithë shqiptarët për 1 shekull pavarësi.

William E. Ryerson, ambasador i SHBA 1991-1994:

“Kënaquni! Është një ngjarje e shënuar. Një rast për të reflektuar mbi historinë. Në rast se nuk doni që historia të përsëritet, nuk duhet ta lini të përsëritet. Mendoni se si Shqipëria të bëhet më mirë”.

Joseph E. Lake, ambasador i SHBA 1994-1996:

“Kam kujtime shumë të bukura të periudhës sime si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri gjatë një periudhe plot sfida në historinë tuaj. Ndërsa festoni 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë suaj, unë jam pranë jush. Ju uroj suksese me këtë rast të jashtëzakonshëm dhe në vitet e ardhshme”.

Marisa R. Lino, ambasadore e SHBA 1996-1999:

 
“Ishte nder i madh të përfaqësoja Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë gjatë disa prej viteve më të vështira të historisë postkomuniste. Shqiptarët kanë një trashëgimi për t’u ndjerë krenarë dhe një qytetërim të lashtë. Shqiptarët janë të famshëm për bujarinë dhe mikpritjen e tyre, diçka që e dëshmova personalisht gjatë fluksit të madh të refugjatëve kosovarë në vitin 1999. Shumë shqiptarë të zakonshëm hapën dyert e shtëpive të tyre dhe strehuan njerëz të panjohur në nevojë që po largoheshin nga persekutimi, ashtu si kishin bërë shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nëse shqiptarët e thjeshtë mund të jenë kaq bujarë dhe mikpritës me njerëz të panjohur, jam e sigurt se klasa politike shqiptare do ta gjejë rrugën e duhur, megjithëse shpresoj që nuk do të duhen edhe 100 vjet të tjerë. Vetëm një gjë më mbetet të them: Unë lashë një pjesë të zemrës sime në Shqipëri dhe ajo do të jetë gjithnjë një vend shumë i veçantë për mua”.

James F. Jeffrey, ambasador i SHBA 2002-2004:

“Mirëdita. Jam Ambasadori James Jeffrey. Si ambasadori amerikan në Shqipëri në periudhën 2002 – 2004, pata mundësinë të vëzhgoja personalisht përpjekjet e shqiptarëve dhe miqve të tyre në Europë e në Amerikë, duke punuar së bashku për të çuar përpara çështjet e civilizimit, zhvillimit ekonomik dhe paqes, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin. Ajo që shohim tani, një dekadë më vonë, është zhvillim i mëtejshëm, falë, pikësëpari, përpjekjeve dhe mençurisë së popullit shqiptar, udhëheqjes së tyre, por edhe mbështetjes së Bashkimit Europian, NATO-s, ku Shqipëria bën pjesë me krenari, dhe Shteteve të Bashkuara. Shqipëria ka treguar se është një eksportuese sigurie, duke mbështetur Shtetet e Bashkuara në Irak, Afganistan dhe vende të tjera. Ajo po luan një rol të rëndësishëm në Ballkan sot dhe ne si miqtë tuaj presim 100 vite të tjera marrëdhëniesh të ngushta. Edhe një herë, urime për Pavarësinë tuaj”.

Marcie B. Ries, ambasadore e SHBA 2004-2007:

“Jam shumë e lumtur që kam mundësinë t’u flas shqiptarëve në këtë ditë të rëndësishme, në përvjetorin e Pavarësisë. Kam kujtime të shkëlqyera të kohës sime në Shqipëri, të udhëtimeve në vendin tuaj të bukur, të takimeve me shumë njerëz, udhëtimeve në male, ushqimit fantastik dhe kështjellave të jashtëzakonshme. Është një vend i jashtëzakonshëm. Mbaj mend gjithashtu, ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër, vizitën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, një vizitë vërtet e suksesshme dhe tregues i një marrëdhënieje të ngrohtë mes dy vendeve tona. Pra, për gjithë shqiptarët, dua të uroj një ditë vërtet fantastike të ditës së Pavarësisë”.

John L. Withers II, ambasador i SHBA 2007-2010:

“Lëvizja e pavarësisë, burrat e gratë e guximshëm të asaj periudhe kanë lënë një testament, testamentin e lirisë, pavarësisë, parimeve demokratike. Për sa kohë që shqiptarët do t’i referohen kësaj, do ta shohin me mirënjohje e admirim këtë periudhë të hershme dhe do t’i mbajnë këto parime në zemrën e tyre, pavarësisht nëse duhen 20 vjet apo më gjatë se 20 vjet, Shqipëria do të bëjë realitet ëndrrën shqiptare që lindi në Vlorë 100 vjet më parë”.

Alexander A. Arvizu, ambasadori aktual i SHBA:

“Përshëndetje! Jam i lumtur t’u bashkohem paraardhësve të mi si ambasador i SHBA në Tiranë ndërsa festoni këtë moment vërtet të veçantë të historisë suaj moderne. Shqipëria ka kaluar disa sfida të mëdha që nga shpallja e pavarësisë, në vitin 1912, por shqiptarët gjithnjë kanë treguar forcë e vitalitet të jashtëzakonshëm. Në vitin 1991, Shqipëria la pas një nga periudhat më të gjata e më të errëta të historisë së saj si shtet, komunizmin, dhe eci përpara me padurim për të përqafuar parimet e demokracisë, lirisë dhe ekonomisë së tregut. Asnjë vend tjetër nuk ka arritur kaq shumë në kaq pak kohë. Shtetet e Bashkuara i qëndruan pranë Shqipërisë në shpalljen e Pavarësisë 100 vjet më parë dhe në dekadat e para të pavarësisë suaj. U kthyem në vitin 1991 dhe u pritëm krahëhapur. Që nga ajo kohë kemi punuar me ju për të ndërtuar një demokraci më të fortë dhe kemi qenë me ju në ditë të mira e të këqija. Jemi krenarë t’ju shohim në NATO dhe presim t’ju shohim të merrni vendin tuaj si anëtar i BE-së. Gëzojeni këtë moment, jini krenarë për historinë dhe traditat tuaja dhe mbani mend se historia e një populli është kontributi i përbashkët i secilit prej jush”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB